Zëdhënësja e LDK-së në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit kujtoi kërcënimet e çdoditshme ndaj gazetarëve që mbrojnë vlerat më thelbësore të demokracisë, përcjell InLajmi.
Halimi tha se çdo përpjekje për të disiplinuar të vërtetën, për ta zëvendësuar atë me të vërtetën zyrtare të pushtetit politik është armiqësi e hapur me lirinë.
Ajo shtoi se gazetarët nuk e negociojnë lirinë e shprehjes, sepse nuk kanë lejuar që ta humbin.
Postimi i plotë i tij:
Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit të kujtojmë kërcënimet e çdoditshme ndaj gazetarëve që mbrojnë vlerat më thelbësore të demokracisë, shprehjen e lirë dhe mendimin kritik.

Çdo përpjekje për të disiplinuar të vërtetën, për ta zëvendësuar atë me të vërtetën zyrtare të pushtetit politik është armiqësi e hapur me lirinë.
Emërimi në krye të transmetuesit publik (RTK) i një aktivisti nga partia në pushtet, e bënë transparente intencën e të vërtetave zyrtare, duke shtypur të vërtetat alternative dhe me këtë edhe lirinë e shtypit.
E publiku detyrohet të paguaj këto të vërteta të fabrikuara!?
Deklaratat e pushtetit – që shprehin mosbesim ndaj gazetarëve – krijojnë ambient të përshtatshëm për dhunë ndaj gazetarëve dhe sulm ndaj medias si një nga shtyllat e demokracisë dhe qeverisjes së mirë.
Ndaj, çdo gazetare e gazetar sot, është i vetëdijshëm për vështirësitë e kërcënimet, por duke qenë besnikë të profesionit vazhdojnë të palëkundur të hulumtojnë, të shkruajnë, të thonë e përhapin të vërtetat që pushtetet rëndom nuk i duan!
Gazetarët nuk e negociojnë lirinë e shprehjes, sepse nuk kanë lejuar që ta humbin.
Pikërisht për këtë, mirënjohëse! /InLajmi/