Deputeti i pavarur, Haki Abazi ka deklaruar se kryeministri i vendit, Albin Kurti ka “paranoja të skajshme” ndaj kujtdo i cili nuk pajtohet me mendimet dhe qëndrimet e tij.
Abazi tha se ky aspekt tashmë është testuar edhe në përcaktimin e kandidatëve për kryetar komunash, në zgjedhjet e brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Kurti i cili duket që ka një paranojë të skajshme ndaj kujtdo që mund të ketë mendim të qartë e ndryshe apo mendim kritik përbrenda Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo është testuar në përcaktimin e kandidatëve për kryetar komunash, në zgjedhjet e brendshme të VV-së, në funksionimin e funksionit për punë të Jashtme, që unë kam udhëhequr, në përcaktimin e pikave strategjike të marrëdhënieve ndërkombëtare sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, dhe sidomos në ngulfatjen e plotë të diskutimeve përbrenda VV-së, gjatë procesit të zgjedhjeve të brendshme”, tha ai.
Madje Abazi në emsionin Këndi i Debatit në Tëvë1 tha se përjashtimi i tij nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes ka ardhur si pasojë pasi siç tha ai, nuk ka pranuar të heshtë sa i përket çështjeve të rëndësishme.
“Dhe mandej kjo ka eskaluar kur unë nuk kam pranuar që të hesht e të bëhem spektator, apo ngritës i dorës pa u diskutuar çështje të rëndësishmë, apo politikës së brendshme. Sidomos eskalimi i targave më ka bërë në njëfarë forme target te zotëri Kurti dhe të tjerët”, shtoi ai.