Komiteti i Janinës u formua në Janinë më 3 maj të vitit 1877. Qëllimi i komitetit ishte mbrojtja e tokave shqiptare nga rreziku i copëtimit nga shtetet fqinje, shkruan InLajmi.
Në krye të këtij komiteti ishte Abdyl Frashëri, një nga ideologët, diplomatët dhe organizatorët më të shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Në këtë Komitet bënin pjesë personalitete, që përfaqësonin pothuajse të gjitha krahinat e vilajetit të Janinës, si Mehmet Ali Vrioni (Berat), Mustafa Nuri Vlora (Vlorë), Sulejman Tahiri (Tepelenë), Myslim Vasjari (Kurvelesh), Sabri Gjirokastra (Gjirokastër), Mihal Harito (Zagori), Mehmet Goroshiani (Përmet), Vesel Dino (Prevezë) etj.
Komiteti i paraqiti një memorandum qeverisë së Stambollit, ku shtronte ndaj Portës së Lartë kërkesën për bashkimin e të gjitha krahinave të banuara prej shqiptarëve në një vilajet të vetëm.
Komiteti i Janinës bëri përpjekje të lidhte një aleancë ushtarake me qeverinë greke, në bazë të së cilës pala shqiptare përkrahte shtetin grek, që të shtrihej në tokat e Tesalisë, Maqedonisë dhe Trakës, ndërsa qeveria e Athinës do të mbështeste formimin e principatës së pavarur shqiptare. /InLajmi/