Disa orë para fillimit të bisedimeve në Bruksel, të cilat janë planifikuar për sot, gazetarja Olivera Miletoviq tha se është shkatërruese kjo që duhet të debatojmë dhe diskutojmë për një pjesë të territorit tone, transmeton InLajmi.
Miletoviq tha se është shkatërruese që duhet të debatojmë me Kurtin për pjesën tonë të territorit, si dhe për shtetin e rremë që u promovua me ndihmën e Perëndimit dhe bombave të tyre.
“Ne jemi bombarduar për të na marrë Kosovën dhe këtë duhet ta kuptojnë serbët. Këtë duhet ta kemi parasysh, kush janë miqtë tanë dhe kush janë armiqtë tanë”, tha Miletoviq.
Tutje shton ajo se Kurti bën atë që i thon të tjerët.
“Askush nuk mund të më bindë se në Perëndim ekziston një vullnet për të normalizuar realisht marrëdhëniet dhe për të vendosur një dialog. Problemi i serbëve dhe shqiptarëve nuk është antropologjik. Edhe shqiptarët janë të pakënaqur sepse askush nuk i pyet asgjë. Kurti është vetëm një megafon për atë gjë”, tha Miletoviq.
Siç thotë ajo, qëndrimi i tyre ndaj nesh është armiqësor, duke shtuar se duan të krijojnë Shqipërinë e Madhe.
“Është e gjitha një projekt i Perëndimit dhe të gjithë e dimë. Duhet të jemi të durueshëm dhe të mençur sepse asgjë nuk varet nga ne”, tha Miletoviq për tv.pink.rs.
Duke komentuar vazhdimin e sotëm të negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel, kryeredaktori i portalit serb, Dejan Vukeliq, tha se sipas disa njoftimeve çështja e zbatimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duhet të jetësohet.
“Megjithatë, kur negocioni me Kurtin, asgjë nuk përjashtohet dhe gjithçka është e mundur, kështu që kurrë nuk e di saktësisht se çfarë do të ndodhë”, tha Vukeliq.