Naser Pajazitaj do t’i kërkojë 1 milion euro dëmshpërblim për kohën e kaluar në burg, si i akuzuar për vrasjen e kushërirës së tij, Donjeta Pajazitajt.
Ai është liruar nga akuza për vrasje pas shtatë vjetësh të kaluara prapa grilave. Gjykata Supreme ka publikuar sot aktgjykimin për lirimin e 63-vjeçarit, ku thuhet se nuk ka prova të drejtpërdrejta që argumentojnë fajësinë e tij.
Avokati i Naser Pajazitajt, Ahmet Tahiri, ka deklaruar se do të bëjnë kërkesë për dëmshpërblim, për vjetët që ka kaluar në burg klienti i tij, si i akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.
Tahiri ka thënë se do t’i kërkojnë 1 milion euro dëmshpërblim.
“Po, patjetër që do të pasojë kërkesa për dëmshpërblim. Naserit përveç linçimeve dhe bullizimeve të fëmijëve të tij, i janë humbur 8 vite të jetës së tij në burgje. Ne do t’i kërkojmë 1 milion euro”, ka thënë Tahiri.
Kërkesën për dëmshpërblim, Tahiri ka thënë se do ta kenë gati brenda javës, meqë kanë qenë në pritje të Aktgjykimit të Supremes.
“Jo, kemi pritur Aktgjykimin e Gjykatës Supreme. Besoj që brenda javës, do ta kemi gati”, ka deklaruar Tahiri, shkruan Gazeta Express
Vendimin për lirimin e Pajazitajt nga akuza për vrasje e ka marrë para 3 javësh Kolegji Penal i Gjykatës Supreme, por që aktgjykimi është publikuar tek sot.