Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borell, ka thënë se BE-ja mirëpret miratimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur gjatë luftës në Kosovë, në takimin e sotëm mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.
Pas miratimit, Borell ka thënë se 2 palët janë zotuar gjithashtu të bien dakord për “detajet operacionale në takimin e ardhshëm të dialogut që pritet të mbahet në nivel të kryenegociatorëve”.
“Zgjidhja e çështjes së personave të zhdukur nuk është vetëm një detyrim humanitar. Ajo është gjithashtu një mundësi thelbësore për pajtimin dhe besimin mes njerëzve. BE-ja…pret që palët të bëjnë përparim të prekshëm në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të personave të zhdukur dhe në përmbushjen e detyrimeve të tyre përkatëse ndaj familjeve”, u tha në deklaratën e Borellit.
Ai ka shtuar se Komiteti i Përbashkët i Monitorimit i kryesuar nga BE-ja që mbikëqyr zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe aneksit të zbatimit të saj do të monitorojë rregullisht progresin e arritur edhe lidhur me këtë çështje, shkruan REL
Miratimi i kësaj deklarate ishte edhe pika e parë e rendit të ditës në takimin që po zhvillojnë në Bruksel, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të Bashkimit Evropian.