Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, miratuan Deklaratën për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë
Kjo, njëherësh, ishte edhe pika e parë e rendit të ditës në takimin që po zhvillojnë në Bruksel, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të Bashkimit Evropian.
Nga BE-ja thanë më herët se presin që palët “ta miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, si pikë e parë e rendit të ditës”, dhe që kjo të pasohet me “paraqitjen dhe diskutimet për draftin e statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe” në Kosovë.
Takimi në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell dhe të dërguarit special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak ka filluar pak pas orës 18:00, raporton Radio Evropa e Lirë.
Sipas pamjeve që ka publikuar BE-ja në këtë takim, përveç ndërmjetësve Lajçak e Borrell, janë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi e drejtori i Zyrës Serbe për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.