Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi thotë se Serbia nuk ka alternativë përveç një marrëveshje përfundimtare me Kosovën.
Ai thotë se gjërat duket se janë vënë në binarë dhe po ecin në drejtimin e duhur, sa i përket marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, pavarësisht se Vuçiq paraqitet para opionit të vet sikur është i pathyeshëm.
Deputeti Kamberi thotë se qëllim i tyre politik dhe strategjik është që për shqiptarët e Luginës së Preshevës të ndërtohet reciprocitet me të drejtat e serbëve në Kosovë.
Në një intervistë për Radio Kosovën, deputeti Shaip Kamberi, ndër të tjera, thotë se Prishtina dhe Tirana duhet të kenë programe të veçanta shtetërore për shqiptarët në Luginë.
Për më tepër, ai thekson se Bashkimi Evropian duhet të krijojë mekanizma të zbatimit të marrëveshjeve të arritura me Serbinë, e që faktikisht kjo e fundit nuk i ka zbatuar asnjëherë.

“Ajo që për ne është zhgënjyese është qendrimi i bashkësisë ndërkombëtare. Ajo ka qenë moderatore dhe ndërmjetësuese e arritjes së këtyre marrëveshjeve. Ata që ndërmjetësojnë marrëveshjet duhet të kudjesen dhe të krijojnë mekanizma të zbatimit të tyre. Mjerësisht, edhe pse janë të informuar dhe e dinë në detaje këtë çështje, e cila faktikisht po e gjakos Luginën e Preshevës, nuk ka veprim konkret, nuk ka ndonjë sanksionim ndaj Sebisë, e cila vazhdon të ketë sjellje të njejtë ndaj shqiptarëve”, tha ai.