Ish-kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti deklaroi se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, po shkel mbi çdo gjë vetëm për ta ruajtur pushtetin, përcjell InLajmi
Kështu është shprehur Hoti, derisa kujton takimin e sotëm në Bruksel ku besohet se do të diskutohet formimi i asociacionit e që nuk beson se do të arrihet diçka më e mirë se ajo çka parashihet me marrëveshjen e 2015.
Ndërkohë thekson ai se do të ishte veprim i dëmshëm arritje e marrëveshjes pa premtimin për njohje reciproke.
Postimi i plotë i tij:
Sikur bisedat e sotme në Bruksel lidhur me asociacionin të ishin pjesë e “Marrëveshjes finale, ligjërisht të obligueshme, për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ndoshta do i kisha kuptuar dhe arsyetuar qeveritarët aktual.
Por, pa kurrfarë premtimi për njohje reciproke, e me gjithë atë dhunë që kreu aktual i qeverisë ka përdorur për të kundërshtuar asociacionin, negocimi i statutit të asociacionit që ndodh sot në Bruksel është veprim i një politikani që shkel mbi çdo gjë për të ruajtur pushtetin.
Pavarësisht kësaj, dyshoj se ka mundësi të arrihet diçka më e mirë se ajo që parashihet në marrëveshjen e vitit 2015, ku thuhet në mënyrë eksplicite se statuti i asociacionit duhet të marrë pajtimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës para se të miratohet nga Qeveria. /InLajmi/