Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar martirët e masakrës së Studimes së Vushtrrisë në 24-vjetorin e rënies, përcjell InLajmi.
Haradinaj thotë se plagët e popullit tonë janë ende të freskëta dhe nuk mund të mbyllen pa u ndëshkuar të gjitha krimet.
Për më tepër, ai thekson se martirët e Studimes së Vushtrrisë janë shndërruar në gur themeltar të lirisë së vendit tonë ndërsa shton se ata u vranë vetëm pse ishin shqiptarë dhe aspironin për lirinë e vendit.
Në fund, Haradinaj shprehet i bindur se populli shqiptar nuk do të ndalet derisa të dalin autorët e këtyre krimeve para drejtësisë.
Postimi i plotë i tij:
Plagët e popullit tonë janë ende të freskëta dhe nuk mund të mbyllen pa u ndëshkuar të gjitha krimet!
Në 24-vjetorin e rënies, kujtojmë dhe nderojmë me përulje martirët e masakrës së Studimes së Vushtrrisë, që ranë për këtë tokë duke u shndërruar në gurë themeltar të lirisë së vendit tonë. Ata u vranë vetëm pse ishin shqiptarë, vetëm pse aspironin lirinë e vendit.
Nuk do të ndalemi deri sa të dalin para drejtësisë autorët e krimeve.
Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës! /InLajmi/