Kosova dhe Serbia sot në Bruksel kanë miratuar deklaratën për Personat e Zhdukur. Por politologu, Dritëro Arifi e cilësoi këtë deklaratë si një dështim të Qeverisë Kurti.
Madje sipas tij, në këtë mënyrë Kosova e ka rehabilituar shtetin serb.
“Deklarata e miratuar sot është shumë e dobët, përgjegjësi shtetërore këtu nuk ka. Me këtë marrëveshje në një farë mënyre, Kosova e ka rehabilituar shtetin serb. Është dashur të luftohej shumë më shumë për këtë çështje. Unë mendoj që këtu Qeveria e Kosovës ka dështuar dhe nuk e di se si do të arsyetohet te familjarët e të pagjeturve”, deklaroi Arifi në emisionin “Këndi i Debatit”.
Po ashtu, Arifi tha se në qoftë se dështon dialogu, kjo do jetë përgjegjësi edhe e Bashkimit Evropian, shkruan Tëvë1.
“Bashkimi Evropian nuk ka politikë të jashtme për Kosovën. Ky nuk është plan evropian, ky është plan gjermano-francez dhe po vërehet që marrëveshja ka dështuar. Avancimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është një far lloj flakareshi për Serbinë. Mirëpo, do të ketë flakaresha edhe për Kosovën në qoftë se nuk e zbaton Asociacionin. Nëse dështon dialogu, është përgjegjësi edhe e Bashkimit Evropian”, shtoti tutje Arifi.