Korporata Federale e Sigurimit të Depozitave (FDIC) e konfirmoi të hënën, më 1 maj, se banka e madhe amerikane, First Republic, ka falimentuar.
Gjiganti bankar i investimeve, JP Morgan Chase, do ta marrë përsipër tani këtë bankë.
Sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga rregullatorët, JP Morgan Chase do t’i marrë përsipër të gjitha depozitat dhe shumicën e aksioneve të bankës First Republic.
First Republic është banka e tretë amerikane që ka falimentuar gjatë muajve të fundit, gjë që ka nxitur shqetësimet për një krize më të gjerë bankare, raporton REL.
Aksionet e bankës me seli në San Francisko ranë për më shumë se 75 për qind javën e kaluar pasi ajo pranoi se klientët kishin tërhequr 100 miliardë dollarë gjatë muajit mars.
Falimentimi i First Republic vjen pas kolapsit të Silicon Valley Bank (SVB) në mars dhe rënies së një huadhënësi tjetër amerikan, Signature Bank.
Në përpjekje për ta shpëtuar bankën First Republic, zyrtarët amerikanë u raportua se kishin kontaktuar gjashtë banka të ndryshme.
Në mars, një grup i bankave më të mëdha të Amerikës i grumbulluan së bashku 30 miliardë dollarë për First Republic në një përpjekje për ta stabilizuar atë, por përpjekjet rezultuan të kota, transmeton REL
E themeluar në vitin 1985, First Republic është një huadhënëse amerikan e madhësisë së mesme, e ngjashme me Silicon Valley Bank. Për vite me radhë, ajo u ka shërbyer klientëve të pasur – paratë e të cilëve ishin në rrezik përpara se marrëveshja të shpallej pas një fundjave negociatash.