Përfaqësuesi i Shoqatës së Familjarëve të Personave të Zhdukur, Bajram Çerkinaj ka folur rreth takimit mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq, që do të mbahet më 2 maj në Bruksel.
Çerkinaj ka komentuar deklaratën e kryeministrit Kurti ku tha se, çështja e të pagjeturëve gjatë luftës në Kosovë do të diskutohet në këtë takim.
Çerkinaj shprehet skeptik në lidhje me këtë çështje, teksa thotë se nuk ka besim që do të bëhet ndonjë hap tutje
.Çerkinaj shtoi se, për t’u arritur një gjë e tillë duhet të implementohej çfarë u premtua qysh nga fillimi i Qeverisë Kurti.
“Edhe pse ka premtuar se do të dakordohet dhe do të nënshkruhet një marrëveshje për persona të pagjetur, ne si familjar nuk kemi besim që do të bëhet asnjë hap derisa nuk do të implementohet ajo çfarë u premtua”, tha ai.
Çerkinaj thotë se Qeveria Kurti nuk po e merr seriozisht çështjen e të pagjeturëve në Kosovë.
“Premtuan se do të jetë pika e parë dhe do të fillojë grupi punues të punojë në pjesën humane dhe jo në atë politike. Ende nuk kemi shpresë se e kanë seriozisht” , tha Çerkinaj për GazetaBlic.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha para pak dite se pret që më 2 maj, kur planifikohet të mbahet takimi i tij me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), të trajtohet me urgjencë çështja e të pagjeturve që nga lufta e fundit në Kosovë 1998-1999.