Analistët në Beograd e vlerësojnë të rëndësishëm takimin e 2 majit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel. Derisa thonë se temë diskutimi do të jetë Asociacioni, analistët serbë vlerësojnë se Serbia ka qasje zhgënjyese ndaj Kosovës, duke përmendur edhe shkeljen e marrëveshjes së Ohrit.
Takimi në nivelin më të lartë politik Kosovë-Serbi mund të jetë një pikë boshte, pas një periudhe tensionesh. Kështu vlerësojnë njohësit e zhvillimeve në Beograd.
“Pas të gjitha këtyre ngjarje të javëve të fundit, do të ishte mirë që ai takim të përdorej për qetësimin e situatës, dhe mendoj se një gjë të tillë do ta bëjnë ndërmjetësuesit”, thotë diplomati Sreqko Gjukiq.
“Tema është formimi i Asociacionin, qoftë me atë emër apo me një emër tjetër, por tema është shumë e rëndësishme, dhe mund të jetë një pikë me rëndësi të veçantë për rrjedhën e ardhshme të realizimit të marrëveshjes së Ohrit”.
Në prag të takimit të presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti më 2 maj në Bruksel, Beogradi zyrtar pret marrëveshje konkrete për Asociacionin. Mirëpo, një pjesë e opinionit mendon se marrëveshja e Ohrit po përjeton momentet kritike, dhe përgjegjësia e veçantë i takon Beogradit.
“Qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës është zhgënjyes. Kemi një situatë ku Serbia e ka shkelur marrëveshjen në pikën 4 me votën kundër Kosovës në Këshillin e Evropës”, thotë Zlatoje Martinov, publicist dhe gazetar. “Prandaj, për këtë unë jam skeptik dhe besoj se Serbia me Vuçiqin nuk është e gatshme ta zbatojë Marrëveshjen e Ohrit. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë më 2 maj në Bruksel”, shkruan RTK.
Ndërsa ka shumë të panjohura lidhur me Asociacionin, ka pritje që të ketë progres dhe hapa konkretë në lidhje me çështjen e personave të zhdukur, pasi teksti i deklaratës për personat e zhdukur është dakorduar më parë, dhe pritet të miratohet në nivelin politik.