“Ky është persekutim. Frikësimi. Mëkat dhe turp!”
Me këto fjalë, Ivana Nikoliq nga Leposaviqi, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës, e komenton arrestimin e bashkëshortit të saj, Draganit, nga autoritetet serbe të sigurisë më 10 prill në vendkalimin kufitar në Jarinje.
Dragani akuzohet për “bashkim kundër rendit kushtetues të Serbisë” dhe “thirrje për ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues të Serbisë”.
Ndryshe, Dragan Nikoliq ka dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, me kërkesë të Listës Serbe. Kjo parti, më e madhja e serbëve të Kosovës, ka mbështetjen e Partisë Progresive Serbe (SNS) të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Përveç përfaqësuesve politikë dhe punonjësve të Policisë, dorëheqje kanë dhënë edhe punonjësit e sistemit gjyqësor të Kosovës dhe ata të administratës lokale. Shkak i dorëheqjeve ishte vendimi i Qeverisë së Kosovës për të zbatuar procesin e riregjistrimit nga targat serbe në ato RKS.
Përveç Dragan Nikoliqit, ditëve të fundit për të njëjtat dyshime janë arrestuar edhe 2 serbë nga veriu i Kosovës me iniciale D.T. dhe S.P, shkruan REL
Autoritetet serbe nuk janë prononcuar lidhur me këto arrestime, por për këtë kanë folur avokatët e të arrestuarve.




















