19 organizata joqeveritare të Kosovës i kanë dërguar letër avokuese deputetëve të Republikës së Kosovës, ku kërkojnë miratimin në lexim të 2 dhe 3 të ligjit për pagën minimale.
“Duhet theksuar se niveli i pagës minimale sot në Kosovë, i caktuar për herë të parë dhe të fundit në vitin 2011, nuk është as për së afërmi në përputhje me zhvillimet ekonomike, e veçanërisht me rritjen galopante të inflacionit gjatë vitit të kaluar, rritje kjo që po vazhdon edhe këtë vit. Po ashtu Kosova sot e ka pagën më të ulët minimale në rajon, duke e pasur parasysh se të gjitha vendet e rajonit tashmë kanë marrë masa e vendime që e kanë rritur pagën minimale”, thuhet në letrën e firmosur, shkruan Gazeta Express
Ato kanë e kanë vlerësuar pagën minimale si një hap drejt garantimit që të gjithë punëtorët në Kosovë të paguhen me një pagë më të drejtë dhe që reflekton koston e jetesës.
“Ndonëse i pamjaftueshëm, ky ligj do të ofrojë lehtësim shumë të nevojshëm për punëtorët me paga të ulëta për ta përballuar jetesën, si dhe do të ndihmojë në uljen e varfërisë dhe pabarazisë”.