Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka marrë pjesë në Konferencën e parë Ndërkombëtare për Bujqësinë Organike në Kosovë, raporton InLajmi.
Peci theksoi se bujqësia organike është në mesin e sektorëve që ka potencial të jashtëzakonshëm ndërsa shtoi se hartimi i politikave të mira janë përgjegjësi e ministrisë, kur përcillet me angazhimin e fermerëve të devotshëm shndërrohen në fuqi.
“Bujqësia është një prej degëve më të rëndësishme të ekonomisë kosovare dhe potencial për zhvillim të hovshëm dhe në kuadër të kësaj, bujqësia organike është në mesin e sektorëve që ka potencial të jashtëzakonshëm. Hartimi i politikave të mira janë në përgjegjësi e ministrisë, kur përcillet me angazhimin e fermerëve të devotshëm, të gjitha këto së bashku shndërrohen në energji të fuqishme e cila na garanton produkte cilësore e të shëndetshme për kosovarët”, tha Peci.
Për më tepër, ministri shtoi se në vitin 2023, Ministria do të ofrojë nga 100 euro për çdo prodhimtari apo produkt organik për secilin hektar të mbjellur.
“Ne në vazhdimësi shohim trendet e politikave të legjislacionit dhe programit që e kemi, si për subvencione apo pagesa direkte dhe programe për grante dhe në kuadër të kësaj që në vitin 2022 kanë pasur tretman të konsiderueshëm, ndërsa në vitin 2023 do të jetë më i përkrahur dhe njëra prej masave që i kemi ndërmarrë në kuadër të programit ‘Subvencione apo pagesa direkte’ është se e kemi veçuar çdo prodhimtari ose produkt organik duke iu ofruar 100 euro shtesë për secilin hektar të mbjellur”, u shpreh Peci.
Për më tepër, ai shtoi se grantet do të vazhdojnë të rriten përgjatë viteve 2023-2024.
“Në kuadër të granteve kanë qenë në dispozicion 1.2 milion euro dhe besoj që në kuadër të vitit 2023-2024, kjo shifer monetare do të shkojë drejt rritjes”, tha në fund Peci. /InLajmi/