4 vjet më parë kishte filluar projekti për funksionalizimin e hekurudhës Fushë Kosovë – Han i Elezit, mirëpo edhe sot e kësaj dite nuk shihen “gjurmë përparimi” në këtë proces, ani pse kjo linjë planifikohej të përfundonte në vitin 2022, bashkë me të edhe linja hekurdhore Fushë Kosovë – Mitrovicë, shkruan InLajmi.
Më 2 korrik 2019 kishin filluar punimet për rehabilitimin e fazës së parë të linjës së 10 hekurudhore Fushë Kosovë – Hani i Elezit që e lidhin Kosovën me Maqedoninë e Veriut. Asokohe ish-kryeministri Ramush Haradinaj kishte premtuar se linjat hekurdhore Fushë Kosovë – Han i Elezit dhe Fushë Kosovë – Leshak shumë shpejt do funksionalizohen, gjë që nuk ndodhi, por këto premtime mbeten në “sirtarët e ministrive” edhe me qeverinë e re, kjo për faktin se linjat vazhdojnë të mbesin jashtë funksionit.
Mosfunksionalizimi i këtyre hekurudhave padyshim që e penalizon shumë Kosovën në aspektin ekonomik, por jo vetëm, pasi edhe qytetarët “e paguajnë” çmimin e mospërmbushjes së këtyre premtimeve, pasi siç dihet udhëtimi me tren është shumë më i lirë se ai me mjete të tjera të transportit.
Pandemia pengoi projektin për funksionalizimin e linjës Fushë Kosovë – Han i Elezit
Fillimi i punimeve për fazën e parë të funksionalizimit të linjave hekurudhore Fushë Kosovë – Han i Elezit ka ngecur për shumë arsye thonë zyrtarë nga Infrakosi, një ndër to pandemia Covid-19, por edhe shumë pengesa të tjera madhore, sikur edhe ka qenë edhe shembja e tuneleve përgjatë kësaj linje hekurdhore.
“Linja hekurudhore Fushë Kosovë – Hani i Elezit është në fazën e punimeve e paraparë si faza e parë e projektit e linjës së 10-të hekurudhore, e cila fazë sipas planifikimeve kontraktuale ka qenë e paraparë që të përfundojë deri më tani, mirëpo fatkeqësisht që nga fillimi i punimeve nga viti 2019 kanë qenë disa pengesa madhore, të cilat e kanë pamundësuar realizimin e këtij projekti brenda afateve të parapara”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Infrakosit.
Pandemia ishte problem kyç që “dështoi” afatin kohor për realizimin e projektit për funksionalizimin e linjave hekurdhore, kjo për faktin se Covid-19 kufizoi lëvizjet e inxhinierëve italianë që ishin kontraktuar për realizimit e projektit në fjalë.
“Fillimisht ishte pandemia Covid-19 e cila e pamundësoi një kohë të gjatë që të zhvillohen punimet, pasi edhe disa prej inxhinierëve italianë në cilësi të punës, kryesisht janë bllokuar në shtetin e tyre dhe iu pamundësua qarkullimi, pasi u bllokuan edhe kufijtë ndërkombëtarë, kjo forcë madhore krijoi vonesa rreth një vit”, thuhet nga Infrakos.
Kjo sipas zyrtarëve të Infrakosit ishte një nga arsyet, por edhe pas ardhjes së inxhinerëve u paraqiten probleme të tjera gjatë punimeve, siç ishte gjetja e lëndëve shpërthyese në këtë segment hekurdhor.
“Kur filluan punimet kontraktori ka hasur në disa lëndë shpërthyese në segmentin hekurudhor Ferizaj – Lipjan që dyshohet se datojnë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe deri sa janë bërë demontimet e lëndëve shpërthyese u është ndërprerë puna kontraktorit në atë brez hekurudhor. Ky faktor për një periudhë të caktuar e ka pasur të pamundur qe t’i zhvillojë punimet dhe së fundmi ka ndodhur shembja e tuneleve përgjatë segmentit hekurudhor Hani i Elezit – Kaçanik, respektivisht tuneli 6 dhe 7”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Infrakosit për InLajmin.
Kontraktorët italianë kërkuan kohë shtesë
Për shkak të këtyre pengesave, zyrtarë nga Infrakosi bëjnë të ditur se kontraktorët kanë kërkuar kohë shtesë jashtë kornizave kontraktuale, kërkesë kjo që është duke u shqyrtuar.
“Pra, pas këtyre pengesave kontraktori e ka kërkuar një kohë shtesë brenda kornizës kontraktuale siç parashihet në rastet e forcave madhore dhe gjërave të paparashikueshme, mirëpo ende nuk ka ndonjë marrëveshje konkrete për ndonjë aneks-kontratë për zgjatjen e kohës, pasi ende Infrakos bashkërisht në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës, respektivisht ministritë e linjave janë duke e shqyrtuar kërkesën e kontraktorit”, sqaron Infrakos.
Pavarësisht problemeve që janë paraqitur në linjën Fushë Kosovë – Han i Elezit, punimet për fazën e 2- të funksionalizimit të hekurdhore Fushë Kosovë – Mitrovicë, e cila lidh Kosovën me Serbinë kanë filluar në fund të vitit 2022 dhe dinamika e punëve po zhvillohet sipas planeve të parapara.
“Sa i përket fillimit të punimeve të fazës së dytë Fushë Kosovë – Mitrovicë kontraktori ka filluar punimet në fund të vitit 2022 dhe dinamika e punimeve është duke u zhvilluar sipas planeve të parapara dhe shpresojmë që punimet do të përfundohen brenda afateve të parapara”, thonë nga Infrakos.
Lidhur me zvarritjen e punimeve për funksionalizimin e këtyre linjave hekurdhore, redaksia e InLajmit ka kërkuar sqarime edhe nga Ministria e Infrastrukturës, por që të njëjtit nuk janë përgjigjur. Shqipe Vishaj /InLajmi/