Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna tha se shumë biznese prodhuese në vend kanë qenë të detyruara që të blejnë pajisje të automatizuara.
Rafuna tha se kjo ka ndodhur për shkak të mungesë së fuqisë punëtore. Madje ai ka përmendur shembullin që një kompani e prodhimit të karrigeve ka blerë 3 robotë për t’i zëvendësuar ata me 4 punëtorë që kishte.
“Shumica e bizneseve për shkak të fuqisë punëtore, janë detyruar të riorganizohen. Kur them riorganizim e kam fjalën se kanë qenë të detyruar të blejnë pajisje të cilat janë të automatizuara, që të mos varen shumë nga fuqia punëtore”.
“Kjo ka ardhur edhe si rezultat e ngritjes së cilësisë së prodhimit, ngritjes së standardit, por ka ardhur më shumë si rezultat i mungesës së fuqisë punëtore. E vizitova një prodhues tonin të karrigeve. Ai më tregoi se ka pasur 4 punëtorë fizikë që kanë ngjyrosur në mënyre mekanike ndërsa tani ka sjellë tre robotë që e bëjnë ngjyrosjen e karrigeve”.
“Domethënës ai më nuk është i varur prej fuqisë punëtore fizike se atë punë ia kryejnë robotët. Kështu që kjo i ka shtyrë bizneset që të riorganizohen dhe sa më lehtë ta kalojnë mungesën e fuqisë punëtore”.
Ai shtrenjtimin e energjisë elektrike e ka parë si sfidën kryesore me të cilën po përballen bizneset, bashkë me mungesën e fuqisë punëtore.
“Frika ka qenë gjatë periudhës së dimrit se a do të ketë energji elektrike dhe se a do të rritet çmimi. Askush nuk e ka pritur që në pranverë, kur pritet ngritja e temperaturave dhe rënia e konsumit, të rritet çmimi i energjisë elektrike. Sfida e 2-ta për prodhuesin është mungesa e fuqisë punëtore, e kualifikuar dhe e pakualifikuar. Sfida e 3-të, duhet më shumë subvencionime nga ana e Qeverisë”.
Rafuna tha se bizneset e kanë pritur me shumë shqetësim rritjen e çmimit të energjisë elektrike, sepse kjo rritje reflektohet në koston e tyre e pastaj edhe te qytetarët përmes rritjes së çmimit të produktit final, shkruan Ekonomia Online.
“Rritjen e çmimit të energjisë elektrike, bizneset e kanë pritur me shumë shqetësim. Si një kosto shtesë, kjo në fund i faturohet qytetarit përmes produktit final. Do të shohim se a do të ketë ndonjë ndihmë prej Qeverisë, së paku ta mbulojë këtë dallimin e energjisë elektrike. Kur ju ndihmon bizneseve, ju ndihmon edhe qytetarëve”.