Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Tryezën e Rrumbullakët të organizuar nga zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut, Emilija Redzepi, me rastin e Ditës Kombëtare të Turqve në Kosovë, përcjell InLajmi.
Duke falënderuar Zëvendëskryeministren Redzepi për organizimin, kryeministri Kurti shprehu falënderimet e mirënjohjen ndaj qytetarëve turq për kontributin e vazhdueshëm dhënë për Republikën e Kosovës.
Në adresimin e tij, ai përmendi që muajin e kaluar në shkollën “Elena Gjika” u festua 72-vjetori i mësimit në gjuhën turke, duke thënë se jemi të lumtur për këtë traditë të gjatë të shumëgjuhësisë në vendin tonë dhe për mundësinë, që fëmijët në Kosovë të mësojnë në gjuhën e tyre amtare
Kryeministri Kurti tha se komuniteti turk është pjesë integrale e mozaikut tonë të pasur shoqëror dhe kulturor. Ai shtoi se, që Kosova të jetë një shtet, ku promovohet shumëgjuhësia, do t’iu ofrojmë mundësi studentëve, që të mësojnë gjuhën e mjedisit, siç është turqishtja për shqiptarët në komunat multietnike dhe kësisoj edhe si individë dhe si shtet, do të përfitojmë avantazhe në tregun ndërkombëtar.
Ai tha se shpreson për një bashkëbisedim të dobishëm e kontribuues ndaj përmirësimit të jetës e mirëqenies së secilit qytetar, pavarësisht dallimeve, të cilat i kemi. /InLajmi/