Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, në një deklaratë për medie komentoi zgjedhjet e mbajtura në veri, për të cilat tha se nuk ishin perfekte, duke marrë parasysh mospjesëmarrjen e serbëve, raporton InLajmi.
“Së pari jam shumë i kënaqur se ka kaluar pa incidente pa kurrfarë konflikti, ka kaluar në ambient të qetë dhe unë jam i kënaqur edhe pse nuk konsideroj me këto rrethana që zgjedhjet kanë qenë një zgjidhje perfekte, por nga ana tjetër duhet të kuptojmë që ligjet përcaktojnë se sa kemi afat për mbajtjen e zgjedhjeve. Unë e respektoj këtë element sepse në duhet të respektojmë ligjet. Për fat të keq e kemi parë edhe një herë që ndikimi i Serbisë është zakonisht i vrazhdë, pasi në këtë aspekt partia politike e cila përfaqëson presidentin Vuçiq nuk hezitoi të bëjë gjithçka që është e mundur që të mbesin në pushtet”.
Rashit tha se serbët e Kosovës po përdoren si mjet për betejë politike mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kjo është edhe një dëshmi e prolongimit ose vazhdimit te një udhëheqje e cila nuk është për interesat e komunitetit serb qoftë të jugut ose veriut, por i ka interesat ku serbët e Kosovës po përdoren si mjet, si një mjet i përkohshëm në vazhdim të betejës politike e cila do të vazhdojë edhe me 2 maj nëse mbahet ai takim që është planifikuar në Bruksel”, tha ai.
Për më tepër, ai shtoi se për zgjedhjet në veri është arritur legalitet ndërsa theksoi se sfidë do të vazhdojë të jetë legjitimiteti i tyre.
Ai tha se Lista Serbe kurrë nuk ka pasur kurrë legjimitet sepse sipas tij, ky subjekt politik çdo fushatë të zgjedhjeve e ka bërë me dhunë.
“Legalitet në këtë rast është arritur, legjitimitet në këtë rast gjithmonë do të jetë sfidë. Sikur unë mund të them që Lista Serbe kurrë nuk ka pasur legjitimitet, sepse çdo fushatë çdo proces të zgjedhjeve i ka bërë më dhunë, dhe mos ta harrojmë që 2 kandidatë për kryetar të komunës së Mitrovicës së veriut e kanë humbur jetën për shkak të bindjeve të tyre politike. Ata janë më së paku që mund të kërkojnë legjitimitet”, u shpreh Rashiq. /InLajmi/