Profesori i shkencave politike, Dorajet Imeri ka folur për zgjedhjet e djeshme në veri dhe bojkotimin e tyre nga serbët lokalë.
Sipas Imerit prapa këtij bojkoti mund të jetë një skenar prapa e që lidhet me dhënien e një statusi të veçantë për veriun e Kosovës.
“Po flasim për një trajtim të veçantë për një pjesë të caktuar të Kosovës ku serbët lokalë përdoren si mekanizma shtytës për ta çuar përpara një agjendë që lidhet me synime strategjike të Beogradit që në një proces të caktuar politik si ky i implementimit të një marrëveshje të madhe të punoj në 2 3 rrafshe: E para të mundësohet themelimi i vetmenaxhimit – Asociacionit, sikundër që është edhe një skenar prapa që po shfaqet gradualisht që është po aq i rrezikshëm sa Asociacioni, ndoshta edhe më shumë e që lidhet që me mundësimin që në një fazë të ardhshme të jetë një status i veçantë për veriun e Kosovës. Ky është variant strategjik që po e aplikon Serbia”, ka thënë Imeri.
Madje sipas tij, qëllimi mund të jetë që kjo situatë të përdoret strategjikisht nga Serbia që të shtyhet edhe më tej mundësimi i jetësimit të jetës politike dhe institucionale në veri, shkruan Teve1
“Fillimisht ka një padëgjueshmëri qytetare, qytetarët nuk dalin në zgjedhje, më vonë ndoshta mund të kontestohet vet zgjedhja e kryetarëve e që mund të has në vështirësi në fazat vijuese. E pamë edhe qëndrimin e BE-së që thanë se kjo nuk është afatgjatë dhe me gjasë kjo ka qenë qëllimi. Serbët të mos e marrin faturën, të mos e minojnë për momentin situatën por që ta përdorin atë strategjikisht për ta shtyer edhe më tej mundësimin e jetësimit të jetës politike dhe institucionale në veri”, ka deklaruar Imeri