Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka ftuar qytetarët serbë që të votojnë në zgjedhjet që po mbahen në 4 komunat në veri, duke u thënë “Mos e humbni rastin. Vota juaj do të ketë ndikim të madh në vendimmarrjen lokale, në ndryshimet e përgjithshme pozitive dhe në jetën e mirëqenien tuaj”, përcjell InLajmi.
Konjufca thotë se zgjedhjet në 4 komunat e Republikës së Kosovës, përkatësisht në komunën e Veriut të Mitrovicës, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok janë duke u zhvilluar në një atmosferë të qetë.
Për më tepër, ai thekson se zgjedhjet janë mjeti më demokratik dhe mundësia më mirë për qytetarët që përmes votës së lirë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të bëjnë ndryshimet e dëshiruara.
Postimi i plotë i tij:
Sot, në një atmosferë të qetë dhe demokratike po mbahen zgjedhjet lokale në 4 komunat e Republikës së Kosovës, përkatësisht në komunën e Veriut të Mitrovicës, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Zgjedhjet janë mjeti më demokratik dhe mundësia më mirë për qytetarët që përmes votës së lirë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të bëjnë ndryshimet e dëshiruara.
Prandaj i ftoj qytetarët me të drejtë vote të këtyre komunave që të marrin pjesë sa më masivisht në zgjedhjet e sotme lokale.
Mos e humbni rastin. Vota juaj do të ketë ndikim të madh në vendimmarrjen lokale, në ndryshimet e përgjithshme pozitive dhe në jetën e mirëqenien tuaj. /InLajmi/