Serbia po shkel marrëveshjen e normalizimit të raporteve me Kosovën, duke e penguar atë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i tha Radio Kosovës se e tëra po ndodh para vendeve anëtarë të BE, dhe se pret reagimin e tyre, por edhe të SHBA-së për këtë çështje.
Bashkimi Evropian më 27 shkurt publikoi tekstin e propozimit evropian, me të cilin parasheh normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në nenin 4 të këtij teksti ndër të tjera thuhet se “Palët nisen nga supozimi se asnjëra nga këto të dyja nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj. Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.”
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, thotë për Radio Kosovën se Serbia po e vazhdon avazin e vjetër të shkeljeve të njëpasnjëshme të marrëveshjeve të dakorduar. “Serbia po vazhdon të dëshmojë se ajo nuk është palë që respekton parimet e mirëbesimit, dhe në të njëjtën kohë po ofendon dhe shpërfill angazhimin e komunitetit ndërkombëtar për arritjen dhe zbatimi të marrëveshjeve”, thotë Kryeziu.
Kosova me 12 maj të vitit të kaluar ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës. Serbia kishte provuar ta bllokojë pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, përmes Rusisë, e cila është përjashtuar nga Këshilli i Evropës, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Vetëm këto ditë ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, kanë thënë se “nuk e ka ndërmend të shkoj në Strasburg… nëse Kosova do të pranohet në atë institucion një ditë më vonë”.
E për këtë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, thotë se partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht Franca, Gjermania, Italia dhe ShBA si mbështetëse të mëdha të Marrëveshjes Bazë, duhet ta dënojnë sjelljen e Serbisë.
“27 vende të BE-së e kanë mbështetur Marrëveshjen. Që të gjitha janë anëtarë edhe të Këshillit Evropian. Së bashku përbëjnë shumicën e vendeve anëtare të Këshillit të Evropës. Pra, gjithçka po ndodh para syve të tyre. Serbia vazhdimisht shprehet publikisht për nenet që nuk do të zbatojë, ndërkohë që Kosova vazhdimisht flet për nevojë për zbatim të plotë të marrëveshjes. Kosova mbetet pala e vetme konstruktive, para takimeve, gjatë negocimit dhe pas dakordimit të marrëveshjeve”, është shprehur Kryeziu.
Analisti Shqipërim Pula thotë se Serbia që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës ka pasur një luftë të egër ndaj subjektivitetit të Kosovës dhe ka lobuar në vazhdimësi për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Përkundër deklaratave dhe buzëqeshjeve të zyrtarëve serbë, ata mjaftueshëm kanë dëmtuar shtetësinë e Kosovës, sepse edhe nëse kemi pasur një numër të shteteve që kanë mundur të jenë skeptike për njohjen e shtetit të Kosovës, një fushatë e egër nga ana e Serbisë, ka mjaftuar që ato të mos marrin hapin drejt njohjes apo edhe të kenë hezitime për të dhënë votën e tyre pranë organizmave ku Kosova kishte aplikuar më parë”
Serbia në vazhdimësi ka bërë fushatë te shtetet e tjera për tërheqjen e njohjes së shtetësisë së Kosovës, shkruan RTK.
Deri tani Kosova është bërë pjesë e disa organizatave ndërkombëtare si Grupi i Bankës Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, FIFA dhe UEFA, por ka dështuar të pranohet në INTERPOL dhe UNESCO.