Nga janari e deri në prill, sipas Odës së Mjekëve të Kosovës, nga vendi janë larguar 88 mjekë.
Pleurat Sejdiu, që udhëheq me këtë institucion tha se kjo shifër e kalon numrin e ikje gjatë vitit të kaluar.
Sipas tij, në krejt vitin 2022 nga Kosova ishin larguar 211 mjekë të profileve të ndryshme. Madje ai paralajmëron se pas heqjes së vizave nga janari i 2024 do të rritet dinamika dhe numri i largimeve.
“Lehtësimi i këtyre komunikimeve me siguri që do të rrit dinamiken dhe numrin e largimeve. Vitin e kaluar kemi pasur 211 me gjitha ato bllokada të komunikimeve, këtë vit deri me ditën e sodit kemi 88 që e kalon mesataren e viti të kaluar, katër mujorin e parë. Presim një numër më të madh se vitin e kaluar. Arsyet të cilat kanë qenë vitin e kaluar dhe janë po të njëjtat është çështja e papunësisë, kemi një numër të madh të mjekëve afër 400 mjek janë të pa punë”.
Sipas tij, Kosovën e kanë lënë në shumicën e rasteve të papunën pa përjashtuar edhe profesionistët, por që thonë edhe përkundër mungesave të pa punë vazhdojnë të jenë rreth 400 mjekë.
Madje thotë se vazhdon të jetë çudi se si komunat që kanë më së shumti nevojë për staf në këtë sektorë vetëm ankohen e nuk shpallin konkurse për pranimin e mjekëve të rinj.
“Pjesa më e madhe e këtyre që largohen janë nga kjo kategori, që janë të pa punë. Pastaj janë specializantët, ata që janë në vitin e 2 të 3, të specializimeve nuk janë të kënaqur me kualitetin e shkollimit specialisti që ju ofrohet këtu në Kosovë dhe është gjenerata më kërkuese se gjenerata e jonë dhe ky është një numër i madh i tyre, edhe arsyet pse largohen. Arsyeja e 3 janë kushtet e punës dhe paga”.
Përderisa deputeti i AAK-së, Shemsedin Dereshaj, thotë se kushdo që e ka në plan të largohet e gjen mënyrë, edhe nëse nuk ka liberalizim, shkruan EO
Por thotë se heqja e vizave është masë lehtësuese dhe shumë e favorshme për të pasur një fluks më të madh të shkuarjes se profesionistëve jashtë vendit.