Kreu i Federatës Sindikale të Punonjëseve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka deklaruar se punëtorët që ai i përfaqëson kanë paga që nuk ju garanton as bukën e gojës.
Sipas tij të dhënat e fundit të prezantuara nga Agjensioni i Statistikave të Kosovës se paga mesatare është prej 300 deri në 400 euro janë të pavërteta dhe nuk pasqyrojnë gjendjen reale.
“Këto të dhëna nuk janë të sakta dhe nuk e di kujt i duhen këto kështu, ngase punëtori teknik që pastron zyrën e kryeministrit dhe ministrave e ka pagën vetëm 180 euro dhe kjo është mjerim. Nuk e di qysh kryeministri e ministrat nuk e shohin këtë, kjo pagë këtyre punonjësëve nuk u garanton as bukën e gojës. Përveç kësaj shumë punëtor të sektorit privat as kontrata nuk kanë, as siguri në punë dhe as garanca se do ta përfundojn muajin në atë vende pune”, ka shtuar Jusuf Azemi në emisionin Euro n’7 me Menduh Abazin.
Sipas kreut sindikal qeveria aktuale nuk ju është përgjigjur në asnjë nga 25 kërkesat që ka bërë, për tu takuar dhe dialoguar që paga minimale të rritet dhe që të ndalet sadopak hovi i ikjes së të rinjëve, shkruan Gazeta Express.
“Ministri Murati sheh vetëm xhipa të zi, ai nuk i sheh fukarat, nuk po e sheh mjerimin e punëtorëve të cilët me pagën që kanë nuk arrijn që të kenë as tri racione për ushqim. Në vitin e kalum kemi propozu që paga minimale të jetëë 400 euro. As qeverit e kaluara nuk është se i kanë pa këto, por me ato jemi ulur dhe kemi dialoguar me këtë qeveri nuk po arrijmë as që të takohemi edhe pse kemi bërë 25 kërkesa dhe zyratë i kemi vetëm 20 metra larg. Para zgjedhjeve të fundit rreth 90 % e punonjësëve që kanë ardhur në zyre tek ne kanë thënë se do ta votojm këtë qeveri, por tash ata janë zhgënjyer shumë dhe po kërkojn falje që kanë votuar këtë qeveri” ka shtuar kreu Sindikal, Jusuf Azemi.