Qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi të udhëtojnë lirshëm në zonën Schengen, që prej datës 1 janar 2024.
E pasi Qeveria e Kosovës morri meritat për liberalizimin e vizave, duke thënë se “falë punës së Qeverisë u zhbllokua procesi”, Drejtori ekzekutiv nga Forumi Ballkanit, Astrit Istrefi, thotë se në arritjen e këtij vendimi, nuk mund t’i atribuohet fitorja vetëm Qeverisë Kurti.
Derisa, vlerësoi se nga ky miratim për liberalizim të vizave, shtetësia e Kosovës do të forcohet ende më shumë.
“Është një proces që ka zgjatur 12 vite, shumë institucione dhe qeveritë e kaluara kanë kontribuuar në arritjen e këtij vendimi pozitiv për qytetarët e Kosovës. Mirëpo, nëse i atribuohet Qeverisë Kurti si fituese e këtij kushti të fundit për liberalizim të vizave, le të jetë ashtu. Por, nuk besoj që i kontribuon, qoftë debatit, qoftë lëvizjes së lirë, apo asnjë përfitimi politik, një përvetësimi të tillë se kush ka pasur më shumë në këtë proces. Liberalizimi i vizave për ne sot nuk është një lajm. Nuk është më entuziazmi në datat që i thonin më herët. Është një përmirësim që Bashkimi Evropian ka bërë gabim me vite të tëra sa i përket Kosovës. Është një zhvillim shumë i rëndësishëm, pasi nga sot e tutje, do të forcohet shtetësia e Kosovës”, deklaroi Istrefi.
Më tej, Istrefi tregoi disa nga pengesat që kanë bllokuar vazhdimësinë e këtij procesi.
“Në një moment ka qenë marrëveshja mes Kosovës dhe Malit të Zi, sa i përket demarkacionit, pastaj ka qenë edhe progresi në dialog Kosovë-Serbi. Prandaj, ka pasur shumë gjëra, disa prej tyre teknike, disa me të drejtë, disa nga to janë kryesisht politike”, theksoi Istrefi.
Ndër të tjerash, Istrefi pretendoi se tani njëherë e mirë, do të fillojë të ndryshojë narracioni që është krijuar për Kosovën nga shtetet jo mike.
“Por gjërat që janë më thelbësore, njëra për qytetarët e Kosovës dhe e dyta për qytetarët e Bashkimit Evropian. Një herë e përgjithmonë do të fillojë të ndryshojë narracioni që është krijuar për Kosovës nga shtetet jo mike, përmes propagandës. Besoj fuqishëm që narracioni i të kuptuarit për Kosovën, do të fillojë të ndryshojë gradualisht”.
E madje, Istrefi tha se nga ky vendim pozitiv, do të ketë përfitime të shumta ashtu si për qytetarët e Kosovës, njësoj edhe për Bashkimin Evropian.
“Unë besoj që do të bëhet më lehtë në shkëmbimin kulturor, sportiv, akademik, si dhe gjetja e mundësive të bashkëpunimit përmes bizneseve të ndryshme”, theksoi Istrefi për Tëvë1.
Prandaj, Istrefi deklaroi se nga një lëvizje e tillë, do të krijohet treg edhe për Bashkimin Evropian në Kosovë.