Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se marrëveshja e arritur në Ohër është ujdia më e keqe që ka pasur mundësi t’i imponohet Kosovës. Ai thotë se Kurti e Osmani me këtë ujdi “betonizuan” një status-quo që do të zgjasë së paku 10 vite.
Hoti ka akuzuar kryeministrin Kurti se nuk e ka mbajtur dialogun në binarët e njohjes reciproke.
“Është marrëveshja me e keqe që ka pasur mundësi ta imagjinojë dikush”, deklaroi Hoti.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Hoti thotë se dialogu ka filluar që në vitin 2011 dhe sipas tij janë arritur shumë marrëveshje të mira si ato: për diplomat, energjinë, për pikat doganore e për shumë të tjera.
“Kur unë kam marrë Qeverinë e kam mbyllur qasjen se do të negociohet për marrëveshje teknike. Kam negociuar gjatë me ndërkombëtarët dhe kam thënë se në dialog shkojmë vetëm për marrëveshje përfundimtare”.
Hoti thotë se Kurti i ka pasur 2 pika të kryera për të pagjeturit dhe për bashkëpunim ekonomik dhe sipas tij dialogu është dashur të vazhdojë aty ku ka mbetur.
Deputeti i LDK-së në RTV Dukagjini tha se tashmë është betonuar një status-quo e re që sipas tij pritet të vazhdojë për 10 vite.
“Serbia tashmë nuk e ka presionin për njohjen e Kosovës. Kurti e Osmani e kanë arritur një marrëveshje duke betonuar një status-quo të re”, ka deklaruar ndër të tjera Hoti.