Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e ka cilësuar si gabim insistimin për mbajtjen e zgjedhjeve të 23 prillit në 4 komunat veriore të vendit, duke thënë se kjo e dëmton imazhin e Kosovës.
“Legaliteti jo domosdo ngërthen legjitimitetin, unë besoj se është gabim i madh që po synohet që me metoda legale gjoja të rendit dhe ligjit të imponohet një vullnet ndaj serbëve lokal, sepse kjo shkon në dëm të imazhit të Kosovës si shtet sa i përket mënyrës së zbatimit të ligjit” tha Hasani.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese shtoi se çështja e zgjedhjeve në veri duhet të zgjidhet politikisht.
“Zbatimi i ligjit i shoqëruar me dhunë dhe frikësime quhet mungesë sovraniteti, dhunë dhe frikësim sepse forcat kryesore politike po e bojkotojnë, nuk është argument të thuash po iu thotë Vuçiqi, Lista Serbe është parti e regjistruar këtu dhe ata janë qytetarë të Republikës së Kosovës, problemi duhet të zgjidhet politikisht, po nuk e bëtë këtë ky do të jetë një minus i madh i Kosovës pranë atyre që tash janë edhe ndërmjetësues edhe zbatues të zotimeve tona ndërkombëtare. Si shtet duhet të gjesh mënyra siç janë gjetur përpara, mënyrat e imponimit të vullnetit me dhunë vetëm na dëmtojnë” tha Hasani.
Sipas Hasanit ndonjë incident eventual gjatë këtyre zgjedhjeve do t’i shkonte në favor Serbisë, shkruan Klan Kosova.
“Unë e pash i ka reduktuar zonat zgjedhore, reduktimi i zonave zgjedhore a e ke pyet dikë? A ke bërë ndonjë sondazh? Apo janë vetëm konsiderata të sigurisë, nëse janë konsiderata të sigurisë ato nuk mbahen sepse çdo ditë po digjen kerret, po shantazhohen njerëzit, nesër mund të vritet dikush, krejt fatura bije në Prishtinë, jo te Vuçiqi, ai veç i fërkon duart” tha Hasani.