Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar subjektet politike, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediat si dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja, për afatet për dorëzimin e kërkesës për t’u akredituar për vëzhgimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në veri, të cilat do të mbahen më 23 prill 2023, përcjell InLajmi.
Zyrtarë nga KQZ bëjnë të ditur se dorëzimi i kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike të certifikuara do të përfundojë më 17 prill.
Gjithashtu dorëzimi i kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të OJQ-ve vendore e ndërkombëtare, përfaqësuesit e vendeve të huaja dhe mediave do të përfundojë më 18 prill.
Ndryshe, të gjitha detajet për periudhën e aplikimit për akreditim janë publikuar në ueb faqen e KQZ-së. /InLajmi/