Qytetarët në Veri do t`i drejtohen kutive të votimit të dielën.
Kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në komunat me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, nuk ka.
Të paktën kështu po thotë Halit Barani, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Mitrovicë.
“Jo nuk ka kushte në momentin që shkollat nuk do të hapen si qendra të votimit, normal që nuk ka kushte. Qendrat e votimit kanë qenë nëpër shkolla”, theksoi Barani.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi javën që shkoi që nga 44 qendra të votimit në veri, në të cilat janë zhvilluar zgjedhjet në të kaluarën, më 23 prill do të hapen vetëm 6 prej tyre.
Po ashtu do të ketë edhe 13 qendra të tjera alternative të votimit (kontenjerë).
Barani thotë se Kosova duhet të ketë kujdes për të mos shkaktuar incidente, ngaqë ato i shkojnë përshtati Serbisë.
“Zgjedhjet meqë janë caktuar duhet me i mbajt, por duhet me ju ikë incidenteve. I konvenon Serbisë me pasë incidente dhe jo neve”, deklaroi Barani.
E pranon se kjo mund të jetë zor e realizueshme.
“Gjithë ka pasë incidente, do ketë jo vetëm shkaku i zgjedhjeve, por edhe pas tyre. Ato ndalën veç atëherë kur shteti e shtrin autoritetin në në krejt territorin e vet”.
Këto zgjedhje ishte paraparë të mbaheshin më 18 dhjetor të vitit të kaluar, por institucionet e Kosovës u detyruan t’i anulojnë ato për shkak se grupe qytetarësh atje, shkaktuan incidente gjatë fazës së përgatitjeve, shkruan FrontOnline
Institucionet e Kosovës nuk janë duke e shqyrtuar tash për tash mundësinë për shtyrjen e mbajtjes së zgjedhjeve