Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, ka kujtuar dëshmorët Hasim Halilaj, Luan Nimanaj, Fatmir Nimanaj e Shkëlzen Haradinaj, përcjell InLajmi.
Ai tha se me 16 prill 1999 ishte njëra ndër ditët më krtitike e luftës për liri, të betuar të luftojnë deri në vetëflijim që shqiptarët të jetojnë të lirë ranë heroikisht: Hasim Halilaj, Luan Nimanaj, Fatmir Nimanaj dhe Shkëlzen Haradinaj.
Haradinaj ka zhvilluar homazhe bashkë me bashkëluftetarë e miq në nder të 24-vjetorit të rënies të heronjëve, si dhe morën pjesë në “Marshin e Lirisë”, nga Kulla e deshmorëve në Gllogjan deri në Maznik te Lapidari i Heronjve.
Ai tha se herozimi i tyre është trashëgimi e jona historike, pavdekësia e tyre ecën përkrah lirisë, pushofshin të qetë në lavdi të përjetshme, përfundoi Haradinaj.
Postimi i plotë i tij:
16 prilli 1999 ishte njëra ndër ditët më kritike të luftës për liri. Ato ditë lufte, armiku duke e nuhatur humbjen që po i vinte pashmangshëm nga frontet e luftës, u përpoq që egërsinë dhe mllefin ta shfryejë ndaj popullatës civile. Të betuar të luftojnë deri në vetëflijim që shqiptarët të jetojnë të lirë, ranë heroikisht; Hasim Halilaj, Luan Nimanaj, Fatmir Nimanaj e Shkëlzen Haradinaj.
Me guximin e tyre të pashoq ata nuk kursyen asgjë nga vetja, iu kundërvyen armikut për t’i dalë në mbrojtje popullatës civile duke u bërë frymëzim për bashkëluftëtarët e tjerë për ta çuar luftën triumfalisht deri në fund.
Sot, në Gllogjan e Maznik, në nder të 24 vjetorit të rënies së Heronjëve Shkëlzen Haradinaj, Fatmir Nimanaj, Hasim Halilaj dhe Luan Nimanaj, si dhe 18 vjetorit të rënies së luftëtarit të lirisë Enver Haradinaj, bashkë me bashkëluftëtarë e miq, zhvilluam homazhe dhe morëm pjesë në “Marshin e Lirisë”, nga Kulla e deshmorëve në Gllogjan deri në Maznik te Lapidari i Heronjve.
Heroizmi i tyre është trashëgimi e jona historike. Pavdekësia e tyre ecën përkrah lirisë, thirrjes të së cilës i qëndruan gjithmonë gatitu.
Pushofshin të qetë në lavdi të përjetshme!/InLajmi/