Më 12 maj 2022, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës në Strasburg e kishte bërë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Kur po i afrohemi njëvjetorit të aplikimit në këtë organizatë ndërkombëtare, ende nuk dihet se deri ku ka arritur procesi pasi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës vazhdon të mos deklarohet në lidhje me këtë.
Por, deri tek marrja e vendimit final, aplikimi i Kosovës në këtë organizatë duhet të kalojë nëpër disa procedura.
Njohësi i proceseve integruese, Agron Hoti, ka bërë të ditur se Kosova i plotëson të gjitha kushtet për anëtarësim në KiE.
Por, ai thotë se nëse nuk ka përparim në dialogun me Serbinë gjasat për t’u anëtarësuar janë minimale.
“Procedurat nuk kanë afate, sepse shumë gjëra varen nga zhvillimet politike. Prandaj, bashkësia ndërkombëtare pret nga Kosova që sa më shpejtë që të jetë e mundur ta zbatojë Marrëveshjen e Ohrit, diçka që është thënë në forma të ndryshme nga shtetet kryesore evropiane dhe vetë SHBA, kjo e fundit e ka statusin e vëzhguesit në KiE. Pa përparim në dialogun me Serbi, gjasat për anëtarësim në KiE janë minimale, nëse jo edhe inekzistente”, u shpreh Hoti.
Se anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës është vendim politik, e thotë edhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi.
Arifi tha se anëtarësimi në këtë organizatë varet nga raportet që ka Kosova me partnerët në KiE.
“Sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, tash pothuajse është më shumë vendim politik dhe gjasat për tu anëtarësuar tash më shumë varen nga raporti i Kosovës me partnerët tanë në KiE se në çfarë mënyre do të prezantohet Kosova në këtë organizatë, në kuptimin e asaj se a i ka përmbushur disa kritere fondamentale që të procedohet tutje dhe partnerët tanë të na përkrahin në anëtarësim”, tha Arifi.
Cilat janë procedurat e Këshillit të Evropës për t’u anëtarësuar?
Njohësi i proceseve integruese, Agron Hoti ka shpjeguar procedurat që ekzistojnë brenda Këshillit të Evropës, kur një vend aplikon për tu bërë pjesë e kësaj organizate, duke shtuar se vetë KiE nuk është se i ka të specifikuara hapat proceduralë.
“Duhet përmendur se hapat proceduralë konkretë për anëtarësime në KiE nuk mund të gjenden të specifikuar as në Statut të KiE-së, as Rregulloren e punës së Këshillit të Ministrave të KiE-së dhe as në Rregulloren e Punës së Asamblesë Parlamentare të KiE-së. Gjithsesi, KiE ka 2 organe kryesore: 1) Këshilli i Ministrave i cili mblidhet 2 herë në vit, dhe 2) Asambleja Parlamentare, e cila mblidhet 1 herë në vit. Zakonisht Këshilli i Ministrave ku ulen Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare mblidhet para dhe pas mbledhjes së Asamblesë Parlamentare të KiE-së”, tha Hoti.
Ai ka shtuar se Presidenca e Këshillit të Ministrave të KiE-së zgjat 6 muaj.
“Islanda e mban aktualisht Presidencën e Këshillit të Ministrave që ka filluar më 9 nëntor 2022 dhe përfundon më 17 maj 2023. Presidencën e radhës e merr Letonia nga 17 maj deri në nëntor 2023, pastaj Lihtenshtajni nga 15 nëntor 2023 deri më 17 maj 2024, Lituania nga 17 maj deri më 9 nëntor 2024, Luksemburgu nga 17 nëntor 2024 deri më 17 maj 2025, e kështu me radhë. Të gjitha këto vende të lartpërmendura e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, tha Hoti, duke shtuar se pas marrjes së aplikacionit për anëtarësim, Këshilli i Ministrave të KiE-së i kërkon opinion apo rekomandim Asamblesë Parlamentare të KiE-së.
“Kjo e fundit pas analizimit të gjendjes në Kosovë e përgatit një raport të përgjithshëm, i cili prezantohet në seancë Asamblesë Parlamentare të KiE-së dhe i cili duhet të miratohet nga 2/3 e anëtarëve të Asamblesë Parlamentare. Opinioni apo rekomandimi i Asamblesë Parlamentare është vendimtar për Këshillin e Ministrave të KiE-së për pranim apo jo të Kosovës”, u shpreh ai.
Sipas njohësit të proceseve integruese, pas rekomandimit pozitiv të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, atëherë Këshilli i Ministrave të KiE-së duhet të vendos me 2/3 pro anëtarësimit të Kosovës.
“Nëse vendos pro Kosovës, atëherë Këshilli i Ministrave të KiE-së përmes Sekretarit të Përgjithshëm i bën ftesë Kosovës për anëtarësim në KiE. Në ftesë caktohet numri i anëtarëve të Kosovës për Asamble Parlamentare të KiE-së si dhe kontributi financiar që duhet dhënë Kosova për KiE në baza vjetore”, u shpreh Hoti.
E profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi ka thënë se Kosova duhet të zgjidh problemet me komunitetin serb dhe çështjen e tokave të Manastirit të Deçanit.
Sipas tij, këto mund të jenë 2 pikat e nxehta të cilat mund t’i hapin rrugë ose jo anëtarësimit të Kosovës në KiE.
“Me siguri ka disa kushte që Kosova duhet t’i plotësoj, po supozoj zgjidhja e problemit me komunitetin serb sesi do të rrjedh deri në gjysmën e këtij viti dhe çështja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me vendimin për tokat e Manastirit të Deçanit. Këto mund të jenë dy pikat e nxehta të cilat presin me përfundu të paktën deri në gjysmën e këtij viti dhe pastaj të shihet se cilat janë mundësitë e Kosovës për të proceduar që të paktën për këtë vit të shohim se a mund ta kemi një dritë të gjelbër. Vështirë e shoh, por mundësia aty është dhe kjo varet nga Kosova se çfarë raporti do të ndërtoj me partnerët tanë në Këshill të Evropës”, u shpreh Arifi.
Më 16 mars 2022 Rusia është përjashtuar nga Këshilli i Evropës (KiE) për shkak të agresionit në Ukrainë, kjo automatikisht i kishte hapur rrugën Kosovës për anëtarësim në KiE.
Nëse Kosova arrin sukses me aplikimin për të qenë anëtare në Këshillin e Evropës, kjo do të sillte shumë përfitime për Kosovën dhe qytetarët e saj.
Çfarë është Këshilli i Evropës?
Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.
Këshilli i Evropës është themeluar më 1949. Kjo organizatë ka realizuar fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë.
Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin, si dhe të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.
Grupi i saj i ekspertëve për kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë.
Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme, shkruan Telegrafi.
2 trupat kyçe të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.