Në Shtetet e Bashkuara, Administrata Federale e Aviacionit, FAA, miratoi të premten një licencë të shumëpritur nga themeluesi i kompanisë SpaceX, Elon Musk.
Agjencia federale i dha dritën jeshile firmës SpaceX që të lëshojë për herë të parë në orbitë raketën Starship, duke hapur rrugën për një fluturim provë, vëndimtar për synimet hapësinore të kompanisë.
“Pas një procesi gjithpërfshirës për liçensimin, FAA doli në përfundimin se SpaceX i përmbush të gjitha kërkesat për sigurinë, mjedisin, rregulloret, ngarkesën, integrimin hapësinor dhe përgjegjësitë financiare”, thuhet në një deklaratë të lëshuar të premten nga FAA, duke shtuar se liçensa është e vlefshme për 5vjet.
Lëshimi është planifikuar të bëhet të hënën më 17 prill, shkruan në rrjetin Twitter kompania SpaceX. Raketa do të lëshohet nga qendra hapësinore e kompanisë në Boca Chica të Teksasit. Lëshimi për provën 150 minuta të gjatë mund të bëhet nga ora 5:30 e mënjesit deri në orën 14:00, sipas orës lokale, transmeton VOA.
Raketa Starship është një sistem transporti plotësisht i ripërdorshëm i ndërtuar për të transportuar ekuipazhin dhe ngarkesën në orbitën e Tokës, për të ndihmuar njerëzimin të kthehet në Hënë dhe të udhëtojë drejt planetit Mars dhe më gjerë, thuhet në faqen e kompanisë SpaceX.