Duket e pabesueshme, por edhe në mijëvjeçarin e 3-të, shumë vende në botë nuk mund të vizitohen nga gratë ose burrat. Kriteri gjinor është vendosur në shumë raste nga traditat e një vendi, në raste të tjera nga normat e lashta të lidhura me fenë, e në të tjera nga barrierat e ngritura për arsye sigurie.
Vendet e ndaluara për gratë
Mali Athos, Greqi
Ndonëse është shpallur Trashëgimi Kulturore Botërore në vitin 1998, gjë që do ta bënte të hapur për të gjithë, mali ndodhet në një zonë të paarritshme dhe kërkon një leje të veçantë edhe për vizitorët meshkuj, ndërsa për gratë është rreptësisht e ndaluar. Kjo gjë është vendosur që në shekullin e 11-të, kur u ndalua jo vetëm hyrja e grave, por e çdo qenie të gjallë të gjinisë femërore. Të vetmet krijesa me ADN femërore të lejueshme janë macet, thelbësore për gjuetinë e minjve.
Tempulli i Ayyappan, Sabarimala, Indi
Tempulli është një vend i shenjtë për hindutë dhe i ndaluar për të gjitha gratë e moshës 6 deri në 60 vjeç, si një mënyrë për të përjashtuar praninë e femrave në moshë riprodhuese. E gjithë kjo ndodh për shkak të Zotit Ayyappan, të cilit i është kushtuar tempulli. Perëndia i është përkushtuar dëlirësisë, prandaj prania e grave në moshë riprodhuese në tempullin e tij konsiderohet e papërshtatshme.
Haji Ali Dargah, Mumbai, Indi
Një tjetër vend i shenjtë, po në Indi. Sot ky vend kulti nuk i lejon gratë të hyjnë, por gjatë një periudhë të kufizuar kohore gjatë vitit 2012, ishte e mundur që gratë të hynin aty. Mirëpo kjo u pa si një shkelje e rëndë e traditës, ndaj dhe u ndryshua sërish.
Mali Ōmine, Japoni
Mali Ōmine, i cili u bë një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2004, vazhdon të jetë i mbyllur për gratë për shkak të një tradite të lashtë. Vetëm burrat mund të ecin nëpër shtigjet shkëmbore që të çojnë në tempullin budist, në majë të malit. Gratë konsiderohen një shpërqendrim dhe tundim për murgjit dhe për pelegrinët që shkojnë në tempull, shkruan A2CNN.
Stadiumet e futbollit, Iran
Deri në vitin 2019, asnjë grua në Iran nuk mund të hynte në stadiume, edhe nëse shoqërohej nga burri i saj ose një i afërm mashkull. Arsyeja e ndalimit ishte se gratë nuk lejohen të jenë në kontakt ose pranë me burra që nuk kanë lidhje. Megjithatë, ndonëse ky ligj tashmë është hequr, tradita e fortë bën që gratë dhe vajzat ende të mos ndihen të lira të shkojnë në stadium.