Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka mirëpritur në takim kryeministrin në detyrë të Malit të Zi së bashku me delegacionin e tij me përbërje prej ministrash e kryetarë të komunave, me të cilët bisedoi për marrëdhëniet e mira fqinjësore mes 2 shteteve, përcjell InLajmi.
Mundësitë e rritjes së bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe investimet në infrastrukturë të përbashkët që e rrit mobilitetin dhe hap mundësitë e zhvillimit për të 2 vendet tona ishin në fokus të këtij bashkëpunimi.
Kurti theksoi se Kosova me Malin e Zi punojnë ngushtë si 2 shtete fqinje për të promovuar paqen, sigurinë dhe prosperitetin në rajon.
“Në vitin e fundit kemi rritje të shkëmbimit tregtar me Malin e Zi. Krahasuar me vitin 2021 në vitin 2022, eksportet e Kosovës në Mal të Zi janë rritur për 55%. Gjatë vitit 2022 mbi gjysmë milion hyrje-dalje të qytetarëve janë regjistruar në pikat kufitare me Malin e Zi. Natyrisht, pa llogaritur këtu hyrjet përmes Shqipërisë, ku dihet që një pjesë e mirë e qytetarëve para se të vijnë në Mal të Zi kalojnë nëpër Shqipëri”, tha Kurti.
Kurti e quajti si hap të rëndësishëm nënshkrimin e Marrëveshjes për Shërbime Ajrore në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi.
“E rëndësisë së veçantë sot natyrisht është nënshkrimi i Marrëveshjes për Shërbime Ajrore në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Malit të Zi. Ky është një hap sa i rëndësishëm, po aq i domosdoshëm për rregullimin e hapësirës ajrore në mes dy Republikave tona”, tha Kurti.
Kryeministri tha se kjo marrëveshje ofron mundësi të reja për shkurtimin e rrugëve ajrore e të kohës së fluturimit për 15 minuta ndërsa shtoi se ofron mundësi të reja të zhvillimit të Aviacionit Civil.
“Marrëveshja që nënshkruam sot ofron mundësi të reja të zhvillimit të Aviacionit Civil, mundëson shkurtimin e rrugëve ajrore e të kohës së fluturimit për 15 minuta. Një kompani ajrore që ka fluturuar katër herë në ditë, me këtë marrëveshje lehtësisht mund të shtojë edhe një fluturim. Pastaj, zvogëlon emetimin e gazrave të dëmshme si dhe ulë koston e fluturimeve të cilat ndikojnë në çmim të biletave për udhëtarët”. /InLajmi/