Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Evis Kushi, kanë nënshkruar programin e punës në zbatim të Marrëveshjes së bashkëpunimit shkencor, raporton InLajmi.
Me këtë marrëveshje, 16 projekte të studiuesve nga Kosova dhe Shqipëria do të bashkëfinancohen nga të 2 qeveritë.
Ministrja Arbërie Nagavci theksoi se kjo marrëveshje do të hapë mundësi të reja për hulumtuesit shkencorë nga Kosova dhe Shqipëria.
“Kam kënaqësinë që bashkë me ministren Kushi të hedhim firmën në një dokument me rëndësi për kërkimet dhe avancimin e përbashkët shkencor. Në vijim të bashkëpunimit të suksesshëm që solli lansimin e Abetares së parë unike kombëtare vitin e kaluar, si dhe bashkëpunimeve të tjera të realizuara dhe në proces, sot nënshkruajmë marrëveshjen e bashkëpunimit shkencor mes Kosovës dhe Shqipërisë, e cila hap mundësi të reja për hulumtuesit shkencorë nga Kosova dhe Shqipëria”, tha Nagavci.
Tutje, Nagavci bëri të ditur se secili projekt fitues do të mbështetet financiarisht me 20.000 euro.
“Sot çojmë një hap më tej bashkëpunimin e nisur vite më parë, duke u zotuar për mbështetje të shtuar të projekteve shkencore të ndërmarra bashkërisht nga kërkuesit e Kosovës dhe Shqipërisë. Marrëveshja që nënshkruajmë sot zgjeron hapësirën e bashkëpunimit mes 2 vendeve tona, duke shtuar numrin e projekteve që do të mbështeten në 16, dhe duke ofruar më shumë mbështetje financiare, me 20.000 euro për secilin projekt fitues, që zgjat 2 vite dhe mbulohet në mënyrë të barabartë nga 2 ministritë tona të Arsimit”, tha ajo. /InLajmi/