Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka zbuluar detaje për ekipin monitorues për zbatimin e Marrëveshjes me Serbinë, të dakorduar në Bruksel dhe Ohër.
Ai ka thënë të enjten në “Zërin e Amerikës” se afati për caktimin e ekipit të parë monitorues është 18 prilli e se Kosova ka propozim që ekipet të jenë të ndryshme nga kryenegociatorët, ndërsa Serbia e do kryenegociatorin si monitorues. Bislimi ka thënë se Kosova ka propozuar për pozitën e monitoruesit të zbatimit të marrëveshjes, ambasadorin e Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami.
“Afati për caktimin e ekipit të parë monitorues është 18 prilli, kemi mos-harmoni të qëndrimeve me palën serbe se si duhet të duket struktura e këtij ekipi. Pala kosovare thotë që ekipet të jenë të ndryshme nga kryenegociatorët, e Serbia mendon se ai duhet të jetë edhe kryenegociator, edhe në krye të ekipit. Kemi dërguar nominimin tonë për këtë pozicionin, presim që para takimit të krerëve të Qeverisë, BE-ja të vendosë strukturën. Kemi nominuar Agron Bajramin, ambasador i Kosovës në Bruksel”, ka thënë Bislimi.
Bislimi tha se 2 grupet punuese do të vlerësojnë respektimin e Marrëveshjes dhe të Aneksit të arritura në Bruksel, derisa shtoi se Kosova është dakorduar që së shpejti do ta bëjë prezantimin e parë të draftit të grupit menaxhues për “vetëmenaxhimin e komunitetit serb”.
Ai shtoi se ende s’dihet se si do të duket struktura e vetëmenaxhimit.
“Tani e zbatojmë Aneksin dhe Marrëveshjen, e jo qëndrimet e politikanëve. Marrëveshja bazike dhe Aneksi kërkojnë që palët të marrin obligime…Grupi menaxhues është dashur që në baza të rregullta të raportojë te Ministria e Adminsitrimit të Pushtetit Lokal, por raportet e fundit janë dërguar në vitin 2018. S’mund ta dimë në ç’stad ndodhet puna e grupit menaxhues, por do të ftohen në takimin e radhës për të prezantuar punën e tyre. Në momentin e prezantues, pushon puna e tyre pas prezantimit të draftit. Pastaj kalon në rrafsh politik. Drafti do të vlerësohet në bazë të disa kritereve. Për shembull, Drafti i propozuar s’bie në kundërshtim me vendimin e Kushtetueses të vitit 2015, as me marrëveshjen 2013 dhe 2015. Dhe nuk nënkupton krijimin e një shtrese të re qeverisëse në Kosovë, të drejta kolektive për komunitetin serb, është në harmoni me letrën që zonja Mogheini i ka dërguar ish-kryeministrit të Kosovës në vitin 2015, ku është shprehur qartazi se edhe BE-në se ky lloj trupi s’duhet të ketë asnjë lloj kompetence ekzekutive”, tha si.
Sipas Bislimit, nëse drafti bie në kundërshtim, duhet të shpallet i papranueshëm dhe pastaj të shihet për alternativa.
Kosova dhe Serbia u dakorduan më 27 shkurt në Bruksel për përmbajtjen e një plani evropian për normalizim raportesh. Më 18 mars në Ohër, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u pajtuan për aneksin e zbatimit të atij plani.