Deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj vlerëson se djegia e veturave në veri, shantazhet dhe kërcënimet e ndryshme janë skenar i Serbisë, të cilat po realizohen përmes Listës serbe.
Ajo thotë se nuk e di nëse ka siguri që zgjedhjet e 23 prillit në veri të mbahen.
“Unë në fakt nuk e di a ka një dakordancë dhe a ka siguri që të mbahen zgjedhjet. Sepse edhe nëse është një pjesëmarrje e ulët e votuesve, këto zgjedhje nuk do të jenë legjitime dhe pikërisht kjo ka qenë arsyeja që Haradinaj ka kërkuar të shtyhen. Më mirë të zbrapsemi tash në një periudhë më të volitshme sesa të shkojmë dhe të dështojmë”, deklaroi ajo.
Sipas saj, nuk është mirë që Qeveria ta qojë shtetin “me dështu para presionit që po bën Serbia”.
“Prapëseprapë nëse shkojmë në zgjedhje dhe nuk kemi pjesëmarrje të votuesve, prapë do të dështojmë. Tash mbetet Qeveria të vendos, por nuk është mirë me qu vendin në situatë të tillë që një shtet me dështu para Listës Serbe dhe me dështu para presionit që po bën Serbia dhe presionit që po e bëjnë vetë serbët karshi qytetarëve të cilët janë shpreh se do të marrin pjesë në zgjedhje”, theksoi ajo për Tëvë1
Kadrijaj potencoi se “nëse nuk e kemi një pjesëmarrje solide, me automatizëm zgjedhjet do të shpallen të pavlefshme dhe nuk do të jenë zgjedhje legale, por do të jenë si zgjedhje ilegale”.