Instituti EdGuard së bashku me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, kanë njoftuar se ka zyrtarisht ka filluar procesi i rishikimit të teksteve shkollore, raporton InLajmi.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se Ligji për Tekstet Shkollore është finalizuar ndërsa shtoi se ky ligj është duke u proceduar për Kuvend.
“Që 2 vite ne kemi marrë vendim për përdorimin e tekstit alternativ duke dhënë mundësi që në shkollat tona të jenë këshilla profesionale dhe tashmë veç e kemi finalizuar Ligjin për Tekstet e mjeteve mësimore, i cili vitin e kaluar është votuar në Qeveri dhe është në proces në Kuvend”, tha ajo.
Tutje, Nagavci theksoi se ka pritshmëri të larta për përmirësimin e cilësisë së teksteve mësimore.
“Pritshmëritë dhe vëmendja me të drejtë të atyre që merren me çështjet e arsimit është një vëmendje tek cilësia e teksteve mësimore, andaj edhe pritshmëritë janë të mëdha që besoj se jo vetëm të përfshihen të gjithë ata që kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së teksteve mësimore por po ashtu rriten edhe pritshmëritë në raport me punën që do ta përmbyllim suksesshëm”, tha ministrja.
Për më tepër, ajo tha se cilësia e teksteve mësimore për vite të tëra në Kosovë është përcjellë nga sfida të shumta.
“Është e qartë se për vite të tëra, tekstet cilësia e teksteve shkollore në vendin tonë është përcjellë me sfida të shumta, përfshirë edhe aspektin përmbajtësor edhe atë teknik por edhe në aspektet tjera pedagogjike”, tha Nagavci. /InLajmi/