Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, ka dënuar sulmin ndaj gazetarit Valon Syla, duke thënë se “sulmet e tilla janë shkelje e rëndë e lirisë së shtypit dhe të drejtave të njeriut dhe nuk mund të tolerohen asesi në një shoqëri demokratike”, përcjell InLajmi.
Konjufca i uron shërim të shpejtë Sylës ndërsa kërkon nga organet komptente që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të sjellë autorët e sulmit para drejtësisë.
Për më tepër, Konjufca thotë se gazetarët kanë të drejtën e garantuar me Kushtetutë dhe me ligjet e vendit tonë për të kryer detyrën e tyre profesionale pa frikë dhe pa ndonjë censurë apo presion të jashtëm.
Tutje, Konjufca shton se sulmi ndaj gazetarëve është krim, i cili nuk përkon me kulturën dhe traditën shqiptare.
Postimi i plotë i tij:
Sulmi ndaj gazetarit Valon Syla është një shkelje e rëndë e lirisë së shtypit dhe e të drejtave të njeriut, dhe nuk mund të tolerohet kurrsesi në një shoqëri demokratike.
Ata kanë të drejtën e garantuar në Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë për të kryer detyrën e tyre profesionale pa frikë dhe pa ndonjë censure apo presion të jashtëm.
Sulmi ndaj tyre është një krim i cili nuk përkon as me kulturën dhe as me traditën tonë shqiptare.
Kërkohet që organet kompetente të ndërmarrin hapat e nevojshëm për t’i sjellë autorët e sulmit para drejtësisë!
Solidarizohemi me Valonin dhe i dëshirojmë shërim sa më të shpejtë. /InLajmi/