Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë për medie, ka thënë se institucionet besojnë në pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së, derisa ka theksuar se “lufta jonë ka qenë e drejtë për çlirim”, përcjell InLajmi.
“Sa i përket Gjykatës Speciale besoj që të gjithë e dini qëndrimin tonë e dini. Edhe asokohe kemi kërkuar që të fuqizohen institucionet e drejtësisë. Argumentet tona nuk janë marrë parasysh, i kemi dërguar deri në Gjykatën Kushtetuese siç e dini, por nuk kemi arritur që t’i largojmë”.
Haxhiu tha se institucionet duhet të jenë të kujdesshme me deklarimet për gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së sidomos tani që ka filluar gjykimi.
“Sikur të kishte përpjekje që të fuqizoheshin institucionet do të ishim në një situatë të re. Tani që gjykimi ka nisur, institucionet duhet që të jenë të të kujdesshme nga deklarimet tona, kjo është sepse po e shohim atë që po e bëjnë televizionet tona pasi ka filluar gjykimi”.
Tutje, ajo bëri të ditur se Qeveria e Kosovës ka dhënë deri tani 18 milionë euro për mbrojtjen e 4 ish-krerëve të UÇK-së.
“Ne besojmë në pafajësinë e tyre dhe shpresojmë që sa më parë ata të kthehen. Lufta jonë ka qenë e drejtë për çlirim. Deri tani janë 18 milionë euro që Qeveria e Kosovës ka dhënë për mbrojtjen e tyre”, tha ajo. /InLajmi/