5 muaj pasi kanë dorëzuar dorëheqjet në institucionet e Kosovës në veri të vendit, kjo nuk është dëshmuar si zgjidhje e mirë për disa qytetarët nga komuniteti serb.
Ata pretendojnë se Lista Serbe, e cila kërkonte dorëheqjen e tyre dhe u ofronte zgjidhje të përkohshme, tani po i sanksionon dhe shantazhon nëse nuk e përkrahin politikën e kësaj partie të afërt me Beogradin.
“Dorëheqjet që dhamë nuk rezultuan për të mirë”.
Me këto fjalë, Millosh Delliq nga Leposaviqi, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës, shpjegon situatën në të cilën gjendet dhe faktin se nuk ka marrë pagë për muajin mars.
Ai është njëri nga disa qindra pjesëtarë të komunitetit serb që u larguan nga institucionet e Kosovës në veri të vendit, në fillim të nëntorit të vitit 2022, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e procesit të riregjistrimit të automjeteve me targa serbe në ato të Kosovës.
Asokohe, dorëheqje dhanë edhe përfaqësuesit politikë të serbëve nga radhët e Listës Serbe, parti kjo që gëzon mbështetjen e Beogradit. Serbia, e drejtuar nga presidenti Aleksandar Vuçiq, e mbështeti këtë veprim dhe në këmbim u dha të gjithëve kontrata, në bazë të së cilave do të duhej të merrnin pagë.

Mirëpo, në një prononcim për REL, Delliq thekson se janë “mashtruar” dhe u është “luajtur loja”, sepse, siç beson ai, Lista Serbe tani po “qëron hesapet” me individët që nuk e mbështesin politikën e tyre.
“Në atë kontratë thotë se ne punojmë për komunitetin serb. Kjo është me pikëpyetje për mua, çfarë do të thotë kjo”, pyet Delliq, duke theksuar se tash Lista Serbe do t’u bëjë shantazh me kontrata dhe paga.
Millosh Delliq, me profesion stomatolog, punoi rreth pesë vjet në sistemin e Kosovës, në fushën e gjerontologjisë. Gjeronto-nikoqir/nikoqire është një program për ndihmë ndaj personave të moshuar, i cili kryesisht realizohet përmes vetëqeverisjes lokale.