Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Kalabri të Italisë, me ftesë të komunitetit të arbëreshëve të këtij rajoni, përcjell InLajmi
Presidentja Osmani është nderuar me çmimin “Gjergj Kastrioti” nga Komuna e Frasnitës, për të cilin ka thënë se është mirënjohje për betejën historike të Kosovës për liri si dhe për ruajtjen e identitetit kombëtar.
Osmani gjithashtu ka bërë të ditur se në Arbëri, në praninë e shumë arbëreshëve të Frasnitës, është inauguruar sheshi i cili e mban emrin “Kosova”.
Postimi i plotë i saj:
Arbëreshët, shtyllë e kulturës dhe e identitetit kombëtar!
Mirënjohëse për mikpritjen vëllezërve e motrave arbëreshe. Për shekuj të tërë, ata e kanë ruajtur identitetin kombëtar e gjuhësor, traditën, ritet e kulturën e të parëve të tyre. Ideja e rilindjes kombëtare dhe historia e heroit tonë nacional, Gjergj Kastriotit, e gjejnë burimin në tokën e arbëreshëve.
Falenderoj komunën e Frasnitës për çmimin “Gjergj Kastrioti”. Ky çmim është mirënjohje para së gjithash për betejën historike të Kosovës për liri dhe për ruajtjen e identitetit kombëtar.
Po ashtu, në zemër të Arbërisë, në praninë e shumë arbëreshëve të Frasnitës, inauguram sheshin, i cili e mban emrin e Republikës sonë, sheshi “Kosova”.
Nga sot, kemi një copëz Kosove në zemër të Kalabrisë! /InLajmi/