Mbreti Charles III planifikon të bëjë një udhëtim të shkurtër në Westminster Abbey për kurorëzimin e tij, transmeton InLajmi.
Charles do të kurorëzohet në Westminster Abbey të Londrës, më 6 maj, në një ceremoni plot pompozitet dhe spektakël, me tradita që datojnë 1000 vjet më parë.
Pallati ka publikuar pak nga pak detajet e eventit, i cili pritet të ketë disa ndryshime nga ajo e Mbretëreshës Elizabeth në 1953, duke reflektuar pjesërisht epokën moderne dhe krizën aktuale të kostos së jetesës.
Mbreti dhe gruaja e tij do të nisen nga Pallati Buckingham në Abbey në Diamond Jubilee State Coach, i ndërtuar për të përkujtuar 60-vjetorin e Elizabeth në fron dhe i përdorur për herë të parë në 2014.
Brenda karrocës ka mostra objektesh të marra nga ndërtesat dhe pallatet historike, ndërsa në krye qëndron një kurorë e praruar, e gdhendur nga lisi i HMS Victory, një nga anijet kryesore të Marinës Mbretërore të shekullit të XVIII.
Ndërsa Charles dëshiron të tregojë se monarkia është ende e rëndësishme në Britaninë moderne, multikulturore, ai ka thënë se ka në plan të zvogëlojë institucionin. Kurorëzimi pritet ta pasqyrojë këtë me një ceremoni më të shkurtër dhe më pak ekstravagante, shkruan AP.
Charles dhe Camilla do të udhëtojnë me karrocën 260-vjeçare Gold State, e cila është përdorur në çdo kurorëzim që nga William IV në 1831 dhe u përdor për herë të parë nga George III për të udhëtuar në Hapjen Shtetërore të Parlamentit në 1762, kur ai ishte ende mbret i kolonive amerikane të Britanisë. /InLajmi/