Ish-këshilltari i ish-presidentit Thaçi, Ismail Syla ka thënë se Gjykata Speciale do të hyjë në histori për shumë defekte në punën e saj.
Sipas tij ata fillimisht ishin të gëzuar kur u shfaq pandemia COVID-19, sepse kështu do t’u pamundësoheshin vizitat Thaçit e të tjerëve në Hagë.
“Një nga tiparet e kësaj Gjykatë që thamë se do të hyjë në histori me shumë defekte, në radhë të parë pandemia e cila u erdhi shumë mirë, në kohë të duhur Gjykatës për t’ia bërë që në ditët e arrestimit këtyre njerëzve të pamundura vizitat. Ajo ishte shumë e mirëseardhur për Prokurorinë dhe një kohë të gjatë kanë qenë të privuar nga vizitat, kanë pasë mundëësi të takimeve online. Por kur kaloi pandemia faktikisht ndodhi shkelja e të drejtave të njeriut. Sepse sipas konventave evropiane njeriun nuk mund ta mbash dy vjete gjysmë në paraburgim me aktakuzë ta pakonsoliduar” , ka deklaruar Syla.
Syla madje ka treguar një rast kur Policia e Kosovës e kishte dërguar një kërkesë 24 faqeshe duke e arsyetuar lirimin me kusht të Thaçit e të tjerëve, në mënyrë që ata ta mbanin burgun në Kosovë.
Por përgjigjja e Speciales sipas Sylës, e kishte fyer rëndë PK-në.
“Madje madje atëherë kur Policia e Kosovës ka bërë një kërkesë 2-3 faqeshe edhe ata kanë thënë se kjo ishte një përgjigjje shumë e thjeshtë. Atëherë Policia e Kosovës ka bërë 24 faqe tekst ku me detaje ka dhënë garanca që mund t’i mbikëqyrë, mund t’i vëzhgojë dhe prapë ata e kanë fyer. Përgjigjja e prokurorisë dhe e gjykatës në procedurën paraprake e ka fyer rëndë policinë e Kosovës”, ka deklaruar Syla në Tëvë 1.
“Kjo është një nga ato sinjalet që mbjell frikë nga kjo Gjykatë. Sepse këta nuk kanë qenë njerëz që do të mund të përmbysnin apo të ndikonin”.