Kanë kaluar 10 muaj që kur Kuvendi i ka dhënë miratimin në parim projektligjit për Pagën Minimale, por shqyrtimi i tij në lexim të 2-të ende nuk ka ndodhur.
Ani pse do të duhej të procedohej brenda 3 muajsh, Ligji për Pagën Minimale po qëndron në sirtarët e Kuvendit.
As Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere nuk e ka diskutuar e as pranuar këtë Projektligj.
Lidhur me vonesat, kanë folur anëtarë të këtij komisioni.
Sipas deputetit të Vetëvendosjes, Visar Korenica vonesat me këtë Projektligj po i bënë Qeveria.
Madje për këtë çështje, deputeti që vjen nga partia në pushtet, ka thënë se përgjigje duhet të jep vet ekzekutivi.
“Ky Projektligj është shumë i rëndësishëm, sepse ndryshon skajshmërish pagën minimale që është në fuqi. Arsyeshmërinë pse nuk ka ardhur ende në Kuvend duhet të kërkohet tek Qeveria, në momentin e parë që na vjen në lexim të dytë, ne kemi me e procedu në Kuvend për me u votu. Varet prej Qeverisë, në momentin e parë që neve na vjen në Komision, atëherë ne e procedojmë tutje, nuk varet prej nesh”, u shpreh ai.
Tutje ai shton se sa më shpejt që vjen ligji për pagën minimale, është aq më mirë.
“Sa më shpejt që të vie, aq më mirë”, thotë deputeti Korenica.
Ndërsa deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, vonesën e Projektligjit për Pagën Minimale e ka quajtur të paprecedentë.
Ai tha se kjo tregon për papërgjegjshmërinë e Qeverisë Kurti.
“Fatkeqësisht Projektligji nuk ka ardhur në Komision për shqyrtim të 2-të, dhe i ka kaluar të gjitha afatet kohore të mundshme. Është ndër rastet e paprecedent që ka ndodhur kjo. Dhe qytetarët le ta dinë që ende në Kosovë rroga minimale është 170 euro. Kjo tregon pa përgjegjshmërinë e Qeverisë Kurti, që po e bënë ndaj 100 mijë qytetarëve të Kosovës në lidhje me pagën minimale. Këtu më së shumti po e pësojnë qytetarët që punojnë në sektorin privat”, tha ai.
Lekaj thotë se kjo zvarritje po ndikon tek qytetarët, i cili po ashtu kërkoi që paga minimale të jetë 370 euro.
“Qeveria dhe shumica parlamentare po i frikësohen kësaj dhe janë duke kalkuluar politikisht me këtë zvarritje. Qeveria duhet ta dijë që ky mos veprim i tyre për rritjen e pagës minimale po ndikon për keq në mirëqenien e qytetarëve të vendit. Ne e lusim shumicën parlamentare dhe Qeverinë që ti lëvizin gurët lidhur me këtë projektligj, dhe që paga minimale të mos jetë 250euro neto, por 370 euro neto ashtu siç kemi propozuar që nga fillimi”, u shpreh ai.
Informacione se kur ky Projektligj do të vie në Komision e më pas në Kuvend, nuk ka as deputetja Duda Balje.
Ajo thotë se që nga hera e parë që e kanë votuar, nuk e kanë prek më atë ligj.
“Asnjë informatë për Projektligjin për Pagën Minimale nuk e kam. Kemi votuar herën e parë dhe mandej më nuk kemi parë. Pas leximit të parë në Kuvend, Projektligji duhet me shku në Komision për Buxhet, unë jam anëtare në atë komision, por ne nuk e kemi prekur hiq atë ligj”, tha ajo.
Paga minimale në Kosovë aktualisht sillet prej 130 deri në 170 euro.
Projektligji i ri parasheh që ajo të rritet në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, shkruan Front Online.
Projektligji është kundërshtuar nga disa parti opozitare, të cilat kanë kërkuar që paga minimale neto të rritet në 370 euro.