Gazeta prestigjioze “The Guardian” ka shkruar për gjykimin që po bëhet ndaj ish-kreut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, për të cilin thotë se “ishte politikani më i shquar në Kosovë”, raporton InLajmi.
“The Guardian” kujton luftën e Kosovës dhe ndërhyrjen e NATO-së për të vazhduar më pas te gjykimi i Thaçit në Hagë, duke shkruar “Javën e kaluar, megjithatë, Thaçi, i cili shërbeu si kryeministër dhe president i Kosovës u paraqit në bankën e të akuzuarve në Gjykatën Speciale në Hagë së bashku me 3 kolegë, të gjithë të akuzuar për krime lufte”.
Nga kjo gazetë flasin për akuzat e ngritura ndaj ish-krerëve të UÇK-së “Pretendohet se viktimat përfshinin përkrahës shqiptarë etnikë të partisë politike rivale LDK, civilë serbë dhe romë, të cilët u mbajtën pa proces të rregullt në kushte çnjerëzore në selinë e UÇK-së, iu nënshtruan torturës dhe, në disa raste, u ekzekutuan”.
Për më tepër, “The Guardian” flet për rolin e Thaçit në UÇK, ku edhe thotë “Në një luftë të zhvilluar fillimisht rreth fshatrave dhe qyteteve të vogla në Drenicë, Thaçi, i njohur me emrin “Gjarpri”, ishte përfaqësues politik në shtabin e përgjithshëm të UÇK-së”.
Nga kjo gazetë e përshkruajnë Thaçin si “komandant që u dallua për inteligjencën dhe besimin e tij, duke përfaqësuar më vonë UÇK-në në negociatat e paqes në Rambuje, Francë, në fillim të vitit 1999, që i paraprinë ndërhyrjes së NATO-s në konflikt”.
Përveç kësaj, “The Guardian” përmend edhe raportin e Dick Maryt, për të cilin thotë se paraqiti pretendimet për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, përfshirë trafikimin e organeve nga UÇK-ja, pretendime që do të çonin, 5 vjet më vonë, në krijimin e një Gjykate Speciale. /InLajmi/