Drejtori i prodhimit në Trepçë, Bujar Jashari, përmes një lidhje direkte në “Edicionin Special” në Klan Kosova u shpreh se janë në kontakt të vazhdueshëm më minatorët që sot mbetën të bllokuar në Trepçë, pas prishjes së ashensorit.
Ai u shpreh se gjendja shëndetësore e tyre është e mirë dhe se menjëherë pas daljes, secilit prej tyre u është bërë nga një kontrollë nga ekipet mjekësore.
“Minatorët të gjithë ata që kanë qenë poshtë, kanë një përvojë mjaftë të gjatë, kanë përvojë të tillë edhe me probleme të kësaj natyre. Ne kemi qenë në kontakt gjatë gjithë kohës dhe iu kemi treguar se nuk ka diçka për t’u shqetësuar, sepse ne jemi punuar për ta përgatitur ashensorin alternativ. Ndërsa, kur kanë dalë edhe tani në çdo moment jemi në kontakt me ta”.
“Me shumicën që kam kontaktuar gjendjen shëndetësore edhe emocionale e kanë mirë. Nuk ka dikush që është bërë ndonjë ankesë. Të gjithë ata që kanë dalë nga miniera, menjëherë i kanë pritur ekipet shëndetësore në dalje të minierës, u është bërë nga një kontrollë e shpejtë për të matur tensionin e gjendjen si e ka secili punëtor”, u shpreh ai.
Ai gjithashtu foli edhe në lidhje me gjendjen e ashensorit, duke thënë se sa i përketë pjesës mekanike është në rregull, por sipas tij, telashja qëndron tek pjesa elektrike, shkruan Klankosova
“Ashensori sa i përketë pjesës mekanike nuk ka telashe, ka problem vetëm tek pjesa elektrike, por do t’i ndërrohen disa kontaktorë e disa pjesë që janë të dëmtuara edhe besoj që nuk ka problem, ashensori është mjaftë i sigurt sa i përketë pjesës mekanike, kurse sa i përketë pjesës elektrike, këto ndodhin shpesh edhe për shkak të rënies së tensioneve”, u shpreh tutje ai.