Dita Ndërkombëtare e Romëve është një kremtim i historisë, traditave dhe kulturës rome, ashtu si edhe thirrje për përfshirje sociale, përcjell InLajmi
Kjo ditë synon gjithashtu të rrisë ndërgjegjësimin mbi sfidat me të cilat përballen komunitetet Rome në të gjithë botën.
Kjo ditë është deklaruar zyrtarisht në vitin 1990 në Poloni gjatë Kongresit të katërt të Unionit Ndërkombëtar Rom, në nderim të takimit të parë ndërkombëtar të përfaqësuesve romë i mbajtur në prill të vitit 1971.
Romët kanë zhvilluar traditat e tyre në muzikë, poezi, kërcim dhe pikturë. Muzika tradicionale rome është ndoshta pjesa më e njohur e kulturës rome. Muzika e tyre ka influencuar kompozitorët e muzikës klasike të tillë si Franz Liszt dhe Johannes Brahams. Violina, kitara she klarineta janë instrumentet e preferuara të muzikantëve romë.
Kërcimi tradicional është një tjetër element i rëndësishëm i kulturës rome, ka ruajtur elemente nga India, ashtu siç edhe ka përfshirë elemente nga kultura e vendeve në të cilat romët kanë jetuar. Kërcimi Flamengo përfaqëson shembullin më të dukshëm të kontributit të romëve në stilin e përgjithshëm të kërcimeve. /InLajmi/